17 prill 2011

Juventusi kërkon “pokerin” në Firence


“Zonja” synon fitoren e 4-t radhazi në kampionat. Del Neri mbyll çështjen “Bufon”: Nuk kam dyshime

3 fitore radhazi ka arritur Juventusi deri tano në kampionat, duke mundur respektivisht Breshian në shtëpi, Romën në “Olimpiko” dhe Xhenoan javën e shkuar në Torino. Sot, luhet për fitoren e 4-t.

13 vjet ka Fiorentina, e cila nuk fiton në Firence kundër Juventusit. Ka qenë 13 dhjetori i 1998-ës, kur vjollcët mundën për herë të fundit në shtëpi “Zonjën” 1-0 me gol të Batistutës.

Fiorentina-Juventus, një nga sfidat “klasike” të Serisë A, nuk mund të kalojë pa zhurmë. Edhe për këtë ndeshje, shifrat janë të rëndësishme. Bardhezinjtë janë në “gjueti” të një “pokeri” fitores radhazi që mungonte që nga fillimi i sezonit të shkuar, kur në katër ndeshjet e para Del Piero (sot rikthehet, por në stol) me shokë, fituan kundër Kievos, Romës, Lacios e Livornos, para se të ndalohen nga barazimi me Xhenoan. Gjashtë pikët që ndajnë Juven nga Lacio e vendit të 4-t, nuk frenojnë dëshirën për Champions të Juves, ndonëse skuadra e Del Nerit është “zgjuar” pak vonë.

Por Fiorentina, kundër rivalëve historikë të “Zonjës”, do të synojë sigurisht fitoren me një sukses në Firence, që nuk e arrin që nga 13 dhjetori i 1998-ës, kur vjollcët fituan 1-0 me gola të Batistutës. Prej atëherë, vetëm 3 fitore bardhezi e 5 barazime, ndërsa për tri sezone sfida s’është luajtur.

“Nëse kam ende dyshime për Bufonin? Nuk e kam thënë kurrë këtë. Është një lojtar, që është ndalur prej dëmtimit dhe ndaj Fiorentinës do të rikthehet.” Në prag të ndeshjes me Fiorentinën, Del Neri mohon të ketë patur ndonjë dilemë në lidhje me portierët tek Juve. “Reagimi i Storarit në Romë ka qenë i kuptueshëm, sepse ndihet titullar. Në “Franki” do të jetë një test i vërtetë për të parë se ç’mund të bëjmë nga tani e deri në fund.

Ne luftojmë çdo të diel, pa konsideruar probleme të tjera që nuk kanë të bëjnë me garimin. Mendoj se të mbërrish në një pozicion të caktuar, do të thotë se ke arritur objektivin, gjë që nuk mund ta konsiderosh si një dështim, pasi nuk shërben për asgjë”. Ndeshja në Firence është shumë problematike. “Të gjitha ndeshjet janë të tilla. Edhe të shkoje të Romë dhe të shënoje në “Olimpiko” ishte gjithçka, vetëm e lehtë jo. Fiorentina është një ekip i mirë, që ka marrë rezultate bindëse në shtëpi dhe që di të zhvillojë ndeshje me intensitet të lartë.

Vargas?

Është një lojtar i rëndësishëm dhe do të kërkojmë ta ndalim, jo vetëm duke qëndruar në pritje, por edhe duke ushtruar presion edhe nga krahu i tij,” ka përfunduar. Çelësi i lojës së Fiores, sipas Del Nerit, është Montolivo: “Për rolin që mbulon, po. Do t’i takojë mesfushorëve tanë për ta ndalur. Nuk do të ndryshojmë modul në krahasim me ndeshjet e fundit, sepse besoj se në këtë moment është sistemi më i përdorshëm për skuadrën.”
/JUVENEWS.TK/