28 prill 2011
Amauri mund të rikthehet te Juventusi, mendohet dhe për Dzeko!
Italo-braziliani po paraqitet mirë në Parma dhe mund të kthehet në Torino. Pas një fillim sezoni me Juventusin, që ishte i kushtëzuar në pjesën më të madhe nga dëmtimet e shumta, Amauri vendosi të veshë fanelën e Parmës, për një huazim gjashtë mujor.
Këta të fundit, që e huazuan lojtarin nga Juventusi deri në fund të sezonit pa klauzolë blerjeje përfundimtare, i besuan vendin e titullarit sulmuesit italo-brazilian, i cili është rikthyer në nivelet më të larta të tij. Kjo rilindje e tij po tërheq vëmendjen e shumë klubeve, mes të cilave dhe Fiorentinës. Por, ndërkohë agjenti i ish-bomberit të Palermos dhe Kievos, Xhiampiero Poceta, tenton t'i sqarojë mirë gjërat, duke u shprehur: "Nuk ka të reja rreth së ardhmes së Amaurit. Normalisht, dua të nënvizoj meritat e Parmës, që arriti t'i besojë lojtarit.
Jemi të gjithë të kënaqur me rezultatet që ai po arrin dhe për këtë nuk ka nevojë për diskutime. E ardhmja? Ka një kontratë me Juventusin deri në qershor të vitit 2012, gjithsesi mendoj se është ende shpejt të flasim për këto gjëra tani që kampionati nuk ka përfunduar akoma. Për momentin, Amauri është i përqendruar me Parmën. Në fund të kampionatit do të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Është vetë lojtari ai që do të vendosë rreth së ardhmes së tij", ka përfunduar idenë e tij menaxheri i Xhianpiero Poceta.
Përsëri në sulm për Dzeko?
Mançester Sitit i është dashur të shpenzojë jo pak, por plot 32 milionë stërlina për të sjellë Edin Dzekon në Premier Ligë, por duket se deri tani sulmuesi shtatlartë boshnjak nuk e ka shpërblyer besimin e sheikut Mansur dhe trajnerit Roberto Mançini që e kishte kërkuar me çdo kusht në merkaton e muajit janar.
Kështu që, rikthehet përsëri në vëmendje kandidatura e Juventusit, që në sezonin e shkuar e ndoqi gjatë ish-bomberin dhe kapitenin e Volfsburgut. Gjithçka do të varet nga blerja e Mishel Bastosit, që është objektivi kryesor i "Zonjës së Vjetër" për të përforcuar krahun e majtë. Përsa i përket sulmit, drejtuesit bardhezinj janë në ndjekje të Benzemasë tek Reali i Madridit dhe Neimarit te Santosi, por një mundësi është edhe ajo e Odemuingit që luan për Uest Bromin. Ndërkohë edhe Aleks Del Piero është në pritje të një telefonate.
Me Katanian, ai ka arritur të tregojë se mbetet vendimtar. Kapiteni veteran e ka përsëritur vazhdimisht se ka dëshirë të qendrojë tek Juventusi, por nëse sinjalet nuk do të jenë pozitive nga ana e drejtuesve, atëherë ai edhe mund të largohet, pavarësisht se historia e tij flet qartë tek Juventusi. /JUVENEWS.TK/