26 prill 2011
Shumë “big-ë” për Ligën e Europës
Në Itali rrezikojnë Juvja me Romën, në gjermani Bajerni, në Francë Lioni, në Angli Siti
Në sezonin 2011-2012 Liga e Europës do të ketë shumë skuadra të mëdha. Nëse në Itali “rrezikojnë” të marrin pjesë skuadra si Juventusi dhe Roma, edhe nga kampionatet e tjera të rëndësishëm të Europës mund të vijnë pjesëmarrës prestigjiozë.
Në krye të listës është Bajerni i Mynihut, që vetëm një vit më parë luante në finalen e Championsit dhe tani lufton me Hanoverin për vendin e tretë në renditje. Por janë në garë edhe Mançester Siti, Liverpuli, Lioni dhe Sevilja.
Duke parë klasifikimet, janë pikërisht Seria A dhe Bundesliga kampionatet ku mund të vijnë surprizat më të mëdha për sa i takon zonës së Europës. Kur kanë mbetur edhe tri javë nga fundi Bajerni nuk mund t’i lejojë më vetes asnjë gabim.
Pas largimit të Van Galit, bavarezëve nuk u mbetet gjë tjetër vetëm që të luftojnë për atë shkallë të fundit të podiumit që do të vlente kualifikimin në Ligën e Kampioneve. Por nuk do të jetë një arritje e lehtë, edhe pse kalendari i bavarezëve duket më pak i vështirë se ai i kundërshtarëve.
Nuk mund të bëjë shumë llogari Juventusi, që duhet të bëjë një rekuperim të rëndësishëm në renditje për të marrë pjesë për vitin e dytë rradhazi në atë që në të kaluarën quhej Kupa UEFA. Ka disa shpresa më shumë Roma, edhe pse rekuperimi ndaj Lacios dhe Udinezes nuk do të jetë aspak i lehtë.
Sepse pikët për të rekuperuar janë katër dhe verdhekuqtë nuk po kalojnë një moment të mirë forme. Ndërsa, në Angli Mançester Junajtid, Çelsi dhe Arsenali kanë “shpëtuar”. Rrezikon vetëm Mançester Siti i Mançinit, që në këtë sezon ka marrë pjesë në Ligën e Europës.
Skuadra e Mançinit është në garë me Totenhemin për vendin e katërt. Ndërsa, është e sigurt pjesëmarrja e Liverpulit, që ka rekuperuar nisjen e keqe të bërë në fillim të sezonit, por vështirë se do të shkojë më larg se një vend i pestë në renditje.
Për sa i takon kampionatit francez, Lioni nuk po kalon një moment të mirë, ndonëse deri pak vite më parë ishte një nga skuadrat protagoniste të Ligës së Kampioneve. Tani Lioni kërcënohet nga PSG dhe Rene kur ka mbetur akoma edhe shumë rrugë për të bërë deri në fund të kampionatit dhe gjithçka mund të ndodhë.
Spanjollët janë ata që kanë më pak probleme, ku vetëm Barcelona dhe Reali i Madridit janë të paktën tri shkallë më lart se të tjerat. Përveç tyre e kanë siguruar vendin në Champions edhe Valencia me Vilarealin.
“Nëndetësja e Verdhë” ka marrë vendin e Seviljes, që këtë vit është eliminuar në fazën eliminatore nga Braga, por gjithsesi ka një eksperiencë ndërkombëtare të rëndësishme ashtu si Atletiko Madridit. /JUVENEWS.TK/