30 prill 2011
Reja karikon Lacion: "Është ndeshja më e rëndësishme"
"Ndeshja më e rëndësishme e vitit". Edi Reja e ka prezantuar në këtë mënyrë ndeshjen shtëpiake që Lacioja e tij do të luajë të hënën në mbrëmje kundër Juventusit. Janë të nevojshme tre pikët në këtë ndeshje për të konsoliduar dhe me shumë mundësi për të blinduar vendin e katërt. Lacio vjen nga humbja që ka pësuar në fushën e Interit dhe kanë vetëm një pikë avantazh ndaj Udineses: "90% e mundësive tona varen nga kjo ndeshje. Fati jonë do të vendoset nga kjo ndeshje. Juventusi është me të vërtetë një skuadër shumë e fortë në transfertë.
Del Neri e di shumë mirë, se kur mund të luajë dhe kur është e nevojshme të mbyllet për të shfrytëzuar kundërsulmet. Lojtarët e krahut janë shumë cilësorë, është një trajner që beson shumë tek ky sistem loje". Trajneri i Lacios vazhdon të flasë edhe për kundërshtarët e ardhshëm: "Juventusit i është dashur të përballojë shumë dëmtime në këtë sezon. E dimë shumë mirë, që duhet të luajmë një ndeshje me intensitet të lartë, nëse dëshirojmë të marrim pikët e plota në këtë ndeshje. Nuk i nënvlerësojmë aspak kundërshtarët tanë, që do të kërkojnë një rezultat pozitiv për ta mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.
E përsëris edhe njëherë, ndeshja për ne është shumë e rëndësishme: as nuk më duhet t'ia them lojtarëve, nuk kanë nevojë për stimuj nga ana ime, sepse e dinë shumë mirë se çfarë kërkohet". Por në këtë ndeshje të rëndësishme trajneri bardhekaltër Edi Reja duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesat e të skualifikuarit Stefano Mauri dhe rrezikon të ketë edhe mungesën e Xhiusepe Rosit, që është i dëmtuar: "Duhet të gjej zgjidhjet më të mira në bazë të nevojave tona. Kam akoma kohë për të vendosur. Ekziston gjithsesi një lloj zhgënjimi, sepse shpresoja të kisha në dispozicion shumë lojtarë për këtë fund kampionati", është shprehur trajneri i Lacios. Në këto javët e fundit, skualifikimet janë bërë gjithmonë e më frekuente.
"Nuk besoj se, bëhet fjalë për çështje nervash. Për pjesën tjetër, nëse marrin në konsideratë kartonin e kuq që ka marrë Mauri në Milano, mund të thuhet se, ishte një ndërhyrje që nuk dukej për karton të kuq". Lojtari i 12 në fushën e lojës mund të jetë populli lacial, që pritet të mbushë plot stadiumin Olimpiko (priten 50 mijë tifozë): "Nuk kërkoj të marr hak ndaj tifozëve për sjelljen e tyre të disa kohëve më parë, kemi kaluar edhe momente të vështira, por mund të ndodhë kjo në një sezon. Jam shumë i lumtur për këtë entuziazëm përreth skuadrës, ndihma e tifozëve tanë mund të jetë vendimtare në këtë ndeshje. Shpresojmë të realizojmë ëndrrën tonë që është Champions Liga". /JUVENEWS.TK/