28 prill 2011
Bufon: Juve, mjaft “hëngre” trajnerë
Portieri bardhezi është aleati më i mirë i Del Nerit: Nuk ka më kuptim të ndryshojmë teknikët
“Po, mua më intereson Juventus dhe dua të fitoj me këtë fanellë.” Me këto fjalë, Xhixhi Bufon largon zërat e merkatos, që e duan në Romë verën e ardhshme. “Tashmë nuk po fitojmë, thjesht sepse të tjerët janë më të fortë. Mes mosfitimit dhe renditjes në vendin e 7-të apo të 8-të, nuk ka ndonjë ndryshim të madh.
” Por, portieri i Juventusit kërkon të saktësojë: “Faji nuk është i Del Nerit apo i Ferrarës e Zakeronit më parë. Mjaft më ndërrimit të trajnerëve.” Xhixhi Bufon është ende i mbushur me mërzi, pas barazimit të bujshëm 2-2 të Juves kundër Katanias.
Një barazim që i ka larguar tashmë përfundimisht nga ëndrra Champions dhe që mund të sanksionojë fundin e aventurës në Torino të Xhixhi Del Nerit. “Pas ndeshjes me Katanian isha i nervozuar, por nuk duhet të dorëzohemi në asnjë mënyrë,” ka pranuar Bufon. “Ka ende 4 ndeshje për të luajtur.
Për shumë veta, kjo s’do të thotë asgjë, por për 14 milionë tifozë juventinë vlen besueshmërinë, dashurinë dhe dinjitetin. Dua të fitoj gjithmonë, shpresoj ta bëj me këtë fanellë dhe shpresoj që të jetë sërish Del Neri.
Barazimi me Katanian nuk është faji i tij, ashtu sikur sezonin e kaluar shumë rezultate negative nuk i takuan vetëm Ferrarës dhe Zakeronit. Unë shoh aspekte të tjera dhe trajneri ynë është në lartësinë e duhur. Të ndryshosh shpesh nuk do të kishte kuptim.” Portieri, kampion i botës në 2006-n, është i bindur në mënyrë të vendosur për kapacitetin e trajnerit të tij: “Mjafton të kujtojmë se për një kohë të caktuar u fol për një Juve për titull. Më pas kemi patur rënie, që u ndikua prej dëmtimeve.
Kështu që filloi “telenovela” e ndërrimit të pankinës. Një ditë, një emër: diçka që shqetëson ambientin dhe personin në fjalë. Por përkundrazi, ai nuk është ndikuar, ka ditur të reagojë dhe të mbajë presionin, madje duke na transmetuar një siguri të madhe.
Të dhëna tipike për një skuadër si Juventusi,” ka shpjeguar Bufon. “Pikërisht, Çiro dhe më pas Zakeroni kanë paguar shtrenjtë pa qenë të vetmit fajtorë. Është shumë e thjeshtë për të gjetur një përgjegjës të vetëm. Juve nuk mund të bëhet një klub që “pret” koka trajnerësh. E ardhmja ime?
Nuk e mendoj. Kam 2 vite kontratë dhe 4 ndeshje të rëndësishme për ne dhe për njerëzit tanë për të luajtur. Nëse do të mendoja për çështjet e mia në këtë moment, do të tregohesha egoist, gjë që ta shpif. Unë e dua Juven.” /JUVENEWS.TK/