23 prill 2011
Juve dështon në fund
Juventusi nuk ka arritur të fitojë kundër Catanias në takimin e zhvilluar të shtunën mbrëma në Olimpico të Torinos, duke barazuar me rezultat 2-2.
Në minutën e 19-të të takimit u akordua penallti në favor të vendasve, ndërsa i saktë nga pika e bardhë ishte ikona e Juves, Alessandro Del Piero.
Kapiteni i Zonjës së Vjetër dyfishoi epërsinë në minutën e 38-të pas krosimit të Krasic duke shënuar golin e 184 në karrierë në Serie A, dhe kështu barazon rekordin me Gabriel Batistutan në listën e golashënuesve të të gjitha kohërave në Kampionatin italian.
Në pjesën e dytë të dyja skuadrat luajtën mirë duke krijuar raste, ndërsa mysafirët ishin më kërkues ndaj golit.
Një lëshim i mbrojtjes vendase i kushtoi Juves me gol, pasi Alejandro Gomez ngushtoi epërsinë në 2-1 (81’). Ndërkaq, më pas Bianconerët humbën dy raste të shkëlqyera për të shënuar duke i dhënë shpresa për barazim Catanias deri në fund të takimit.
Dhe kështu ndodhi. Në minutat shtesë të takimit, mysafirët arritën ta barazojnë rezultatin pas një gjuajtje të lirë të Francesco Lodi, i cili shokoi Gigi Buffonin dhe tifozët në Torino.
Pas javës së 34, Juventusi gjendet shtatë pikë larg vendit të katërt që e mban Lazio, ndërsa ky barazim shuan shpresat për kualifikim eventual në Ligën e Kampionëve. /JUVENEWS.TK/