26 prill 2011
Trajneri Marcello Lippi: Juventusi? Kurrë mos thuaj kurrë!
Ish-përzgjedhësi i kombëtares italiane, Marçelo Lipi, ka deklaruar se nëse do të jetë e nevojshme, ai do të rikthehet në krye të Juventusit, klub të cilin e ka udhëhequr në dy periudha, prej vitit 1994 deri 1999 dhe prej vitit 2001 deri 2004.
Lipi është ngushtë i lidhur me klubin torinez, me të cilin ka fituar pesë tituj kampioni në Serie A dhe një trofe të Ligës së Kampionëve. Juventusi aktualisht nuk ka një ecuri të mirë, pasi skuadra e drejtuar nga Luixhi Del Neri aktualisht renditet në vendin e shtatë në Serie A, vend ky i cili nuk siguron as pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. I pyetur nga gazetarët italianë për mundësinë e rikthimit të tij në krye të Juventusit, Lipi është përgjigjur:
“Kurrë mos thuaj kurrë. Megjithatë, nuk do të dëshiroja që kjo të kuptohet si një shtytje e imja drejt pankinës së Juventusit. Kjo ishte thjeshtë një përgjigje në pyetjen tuaj. Në fakt, unë u kam thënë se kurrë më nuk do të ulem në pankinën e një klubi italian, përveç nëse kjo do të jetë nga dashuria e pastër.
Mua zemra më lidh vetëm me Juventusin, me të cilin klub kam raporte të veçanta. Nëse Juventusi një ditë do të ketë nevojë për dorën time, e shpresoj që të mos ketë, pasi kjo do të thoshte se gjithçka është duke shkuar mirë te ky klub, atëherë unë jam i gatshëm t’ia zgjasë dorën”. /JUVENEWS.TK/