24 prill 2011
Del Neri largohet, vjen Mazzarri në Juve?
Të dy u mundën një ditë më parë, por mëngjesi i solli lajme me atmosferë krejtësisht të ndryshme. Luigi Del Neri dhe Walter Mazzarri ishin trajnerë të mërzitur në pasditen dhe mbrëmjen e së shtunës, pasi Juventus dhe Napoli nuk realizuan synimet, por i dyti mund t’ia zerë vendin të parit në Torino.
Mediat italiane, konkretisht “Tg.com” i Mediasetit, shkruan se do të jetë pikërisht drejtuesi teknik i napolitanëve që mund të ulet në stolin që Del Neri mund të lerë bosh këtë verë.
Juventus barazoi në mënyrë të pabesueshme 2-2 me Catanian në “Olimpiko” të Torinos, ndonëse u ndodh në epërsi të dy golave. Kapiteni Del Piero u rikthye magjik duke qenë ai autor i të dy rrjetave për bardhezinjtë, duke treguar se përse mbetet kaq i rëndësishëm për skuadrën e tij, me 283 gola të shënuar në karrierë dhe 10 këtë sezon, më i miri për Del Nerin.
Gomez e Lodi i dhanë barazimin siçilianëve, duke e zemëruar jashtë mase trajnerin juventin Del Neri që akuzoi gjyqtarin Bergonzzi se kishte dhënë vendime të padrejta që i hoqën Juves fitoren nga dora, duke ia larguar shumë mundësinë e kualifikimiët për në Ligën e Kampionëve dhe madje edhe për në Europë.
Mazzarri mori edhe ai goditje, pasi Napoli u mposht 2-1 në Palermo dhe synimet për titull praktikisht kanë përfunduar. Por ecuria impresive e napolitanëve që mund të jenë në Champions sezonin e ardhshëm ka bërë që emri i Mazzarrit të vlerësohet shumë në “bursën” e trajnerëve /JUVENEWS.TK/