25 prill 2011

Rekordet vazhdojnë, por Del Piero trishtohet


Kapiteni bardhezi arrin në kuotën e 283 golave, por barazimi me Katanian e mundon: Bëmë shumë gabime

Po nëse do të ishte ai, që nuk do të firmoste më? Nëse Alesandro del Piero do të thoshtë “mjaft më”? Nëse kapiteni do të mendonte se meriton diçka më shumë se sa vendi i 7-të dhe të vendoste të shkonte të luante diku tjetër?

Natyrisht është një paradoks, sepse Del Piero e ka shkruar të ardhmen e tij, madje e ka treguar në një videomesazh 2 muaj më parë: “Do të qëndroj tek Juve, do të firmos.” Që prej atëherë, kanë ndodhur gjëra shumë të rëndësishme për të cilat duhet të shqetësohet, ka munguar koha për një takim në zyrat e klubit.

Pas Pashkëve duhet të mbërrijë njoftimi zyrtar. Por, nëqoftëse tani, pas zhgënjimit të disatë, do të ishte Del Piero, ai që mund të kishte ndonjë dyshim, do të ishte e vështirë t’i vije faj.

Të shtunën, Del Piero mund ta mposhtte Katanian me një dopietë, por Del Neri e zëvendësoi dhe kapiteni u desh ta asistonte nga pankina përmbysjen e kundërshtarëve.

Bëra maksimumin - “Kam bërë atë që duhej, kam bërë mirë,” flet shkurt Aleks. “Nuk kam asgjë për të thënë. Jam i lumtur për 2 golat, por mbeten vetëm shifra: jemi të gjithë të vrarë thellësisht, duhet të mendojmë të rimarrim veten shpejt dhe të përfundojmë mirë në kampionat.

Na ka munguar pak vendosmëria, në disa episode mund të bënim edhe më mirë, duhet të kishim fituar. Megjithatë, në fund, përveç kohës shtesë të tejzgjatur, nuk m’u duk se Melo shkaktoi një faull me dorë. Kontrata?

Do të shohim, e kam shprehur dëshirën time, nuk duhet të ma kërkoni mua, do të shohim, nuk e di. Nuk kam kërkuar kurrë dhe nuk do kërkoj garanci teknike, ajo që vlen për mua është fusha.”
Shifra të mëdha

Një përmbledhje e shkurtër sezonale: 41 përfaqësime në total (vetëm Bonuçi ka 1 më shumë), vetëm 3 ndeshje të munguara për shkak të padisponueshmërisë fizike, 10 gola (sezoni i 15-të që shënon 10 ose më shumë gola, i shkëputur Inzagi) dhe kryegolashënuesi i këtij sezoni për bardhezinjtë.

Tashmë një përmbledhje e shkurtër e karrierës: 312 gola si profesionist, 283 me Juventusin, 184 në Serinë A. Më pas kemi një profesionalizëm në stërvitje, dëshirën për të fituar, përpikmëri në përgatitje. T’i japësh mundësinë për të shoqëruar Juventusin në stadiumin e ri, në moshën 37-vjeçare, nuk është një dhuratë, por thjesht një konstatim i asaj që Del Piero ka bërë në fushën e lojës.

Rekordi i fundit - Në mbrëmjen, që çertifikoi lamtumirën e Juves nga Championsi dhe komplikon planet për të ardhmen, Del Pieros i mbetet një rekord shumë domethënës: me 283 gola tek bardhezinjtë ai është lojtari italian, që ka shënuar më shumë me një klub të vetëm (Meaca është i 2-ti, në kuotën e 282 golave me Interin).

Por nata ishte e hidhur: Del Piero mund të mos luajë më kurrë një ndeshje kupe (për shkak se nuk ka rinovuar akoma) dhe zhgënjimet duket se nuk po mbarojnë. Përtej vendimeve arbitrare, Juve po ia komplikon gjithnjë jetën, pavarësisht se është kapiten.
/JUVENEWS.TK/