17 prill 2011

Juve, disa yje ikin për të financuar goditjet e mëdha


Mes të tjerëve, mund të largohen Kielini, Felipe Melo e Bufon

Në fund të këtij sezoni me luhatje dhe zhgënjime, Juventusi mund të jetë i detyruar të shesë edhe disa prej lojtarëve më të mirë të kontingjentit. Një manovër e tillë do të ishte e detyruar për të siguruar më tepër fonde për financimin, të paktën të pjesshëm, të disa prej blerjeve të mëdha të përfolura. Emrat e rëndësishëm për përforcimin e bardhezinjve nuk mungojnë.

Përfliten Pirlo, Montolivo, Bastos, Klishi, Fernando apo edhe disa yje ndërkombëtarë të sulmit si Tevez, Benzema e Berbatov. Por, përveç hapësirave që nevojiten për lojtarët e rinj, “Zonja e Vjetër” kërkon të ketë në dispozicion sa më shumë fonde, në mënyrë që të fitojë konkurrencën e klubeve të tjerë. Në këtë aspekt, përveç Amaurit, Sisokosë dhe Iakuintës, që sipas të gjitha gjasave do të largohen, pritet edhe lamtumira e disa lojtarëve me emër dhe që kanë kërkesa.

Të tillë janë Kielini, Felipe Melo, por mbi të gjitha Xhanluixhi Bufon. Portieri kërkohet nga Mançester Junajtid e Bajern i Mynihut, ndërsa me kontratën deri në vitin 2013 ai përfiton 6,5 milionë euro neto në sezon. Largimi i numrit 1 do të ndodhë vetëm nëse ai e dëshiron: në të kundërt, Juve do t’i ofrojë rinovimin e kontratës deri më 2016, por me rrogë të reduktuar. Alternativat për portën nuk mungojnë, pasi përveç Storarit, bardhezinjtë kanë talentin rumun Branesku, ndërsa synojnë edhe polakun 22-vjeçar Sandomierski.
/JUVENEWS.TK/