18 prill 2011

Dorëzohet Juve, Champions është “mision i pamundur”


Juventusi thuajse u ka dhënë fund shpresave për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm, pas barazimit pa gola të arritur sot në Firence përballë Fiorentinës. Fitorja e Lacios në fushën e Katanias e shoqëruar me ndalesën e bardhezinjve, e ka bërë një mision të pamundur arritjen e vendit të katërt, pasi skuadra kryeqytetase është tashmë 8 pikë larg dhe e sigurt nga “kërcënimi” torinez. Sot në “Artemio Franki”, skuadra e Del Nerit ka treguar limitet e saj, e paaftë për të reaguar në momentet më decizive të sezonit. Sinjalet e vetme pozitive janë dhënë nga mbrojtja, që ka minimizuar rreziqet përballë një Fiorentine të motivuar nga rivaliteti historik, më shumë sesa për gjendjen në klasifikim. Fiorentina ka luajtur në një mënyrë të shkëlqyer, madje i është mohuar edhe një penallti për një kontakt në zonë mes Bonuçit dhe Kroldrup. Ndërkohë, ende mbetet në dyshim edhe pjesëmarrja në Europa League për Juventusin, pasi shumë gjëra do të varen edhe nga gjysmëfinalet e Kupës të Palermos e Romës.

Ndeshja - Fiorentina e ka nisur shumë fort ndeshjen, me një ritëm të lartë dhe gjithnjë në kërkim të golit. Ka qenë Çerçi ai që ka patur në këmbët e tij rastin më të mirë të pjesës së parë, por goditja e tij u devijua nga Groso dhe përfundoi pak mbi traversë. Më pas ka qenë Xhilardino që ka rrezikuar, ndërkohë që mbrojtja e Juventusit ndryshe nga ajo çfarë ka treguar këtë sezon, dje ka qenë e organizuar mjaft mirë. Por, në sulm, gjërat nuk kanë funksionuar siç duhet, pasi Matri është parë shpesh i izoluar. Në pjesën e dytë, Del Neri ka hequr Krasiç për Del Pieron, që është treguar menjëherë i rrezikshëm, ndërkohë që në lojë është futur edhe Luka Toni, por që ka qenë larg ndeshjes me Xhenoan. Madje, në një moment ai u bë pengesë për Mariçizion, që mund të kishte shënuar. “Bëmë ndeshjen tonë, e dinim që kjo ishte një fushë e vështirë, - u shpreh pas sfidës së djeshme trajneri Xhixhi Del Neri. – Champions? Me përballjet direkte dhe me 3 pikë në lojë, jo çdo gjë ka përfunduar. Por, sigurisht që shpresat janë më të vakta tani. Të shohim gjithsesi se çfarë do të ndodhë në 5 javët e fundit të kampionatit”, shtoi tekniku i Juventusit.

Lacio - Ndërsa Juventusi ka gabuar përballë Fiorentinës, nuk e ka bërë një gjë të tillë Lacio, e cila ka fituar 4-1 në fushën e Katanias. Siçilianët kishin 4 ndeshje rresht që fitonin në fushën e tyre, por skuadra e Edi Rejës e ka dominuar totalisht sfidën e djeshme. Me fitoren e arritur në “Massimino”, bardhekaltërit ngjiten në kuotën e 60 pikëve, duke i rritur shanset e tyre për të qenë në Champions League. Heroi i ndeshjes së djeshme ka qenë Mauro Zarate, autor i një goli dhe i dy asisteve, ndërkohë që një punë të madhe ka bërë sërish edhe braziliani Hernanes. Ky i fundit ka shënuar golin e parë në minutën e 40-të. Krosi i Lishtajner nga e djathta u devijua me kokë nga Mauri dhe më pas u dërgua në rrjetë nga mesfushori brazilian. Në pjesën e dytë Katanias i kanë mjaftuar 25 sekonda për të barazuar me Skeloton, pas një përgjumjeje të mbrojtjes së Lacios. Por, Lacio kthehet në avantazh në minutën e 56-të, me Maurin, që shërbehet nga Zarate. Goli gjithsesi ishte jashtë loje. Më pas, Flokari dhe vetë Zarate shënojnë dy gola të tjerë. /JUVENEWS.TK/