16 prill 2011

Del Neri: Fiorentina, një skuadër me cilësi


Trajneri i Juventusit ka komentuar gjendjen e skuadrës së Fiorentinës të drejtuar nga Sinisa Mihajloviç. "Është një formacion me shumë cilësi, me elementë si Paskual, Gamberini, Komoto, Mutu, Xhilardino, që luajnë prej disa kohësh sëbashku dhe njohin mirë lojën e njëri-tjetrit. Të luash bashkë prej shumë kohësh është e rëndësishme në futbollin modern. Nuk do të kenë në dispozicion Santanën, por nuk i mungojnë sigurisht alternativat për ta zëvendësuar.

Vargas?

Është një lojtar i rëndësishëm dhe do të kërkojmë ta ndalim jo vetëm duke e pritur, por duke e vendosur në presion edhe në anën e tij ku luan", ka theksuar Del Neri. Çelësi i lojës së Fiorentinës, sipas trajnerit bardhezi, është kapiteni Montolivo: "Për rolin që mbulon në fushë, sigurisht. Do t'i takojë mesfushorëve tanë ta mbulojnë dhe ta vendosin në presion. Ne nuk do të ndryshojmë modulin e lojës në krahasim me ndeshjet e tjera, sepse mendoj që në këtë moment është sistemi më i vlefshëm për skuadrën". Juventusi do të prezantohet kështu pra në Artemio Franki me modulin 4-2-3-1, me modulin që kaluar edhe Romën në transfertë.

Kundër Xhenovas, të dielën e shkuar, ky rreshtim ka ndryshuar gjatë ndeshjes. "Por, të dielën e shkuar ka qenë gjithçka më e vështirë, është shprehur trajneri, sepse Xhenova ka gjetur avantazhin me autogol dhe më pas mbyllej në mbrojtje dhe nisej në kundërsulm. Nuk ishte e lehtë të kalohej një linjë mbrojtëse kaq e fortë". "Në Romë, ndërkohë kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe mendoj se i kemi të gjitha potencialet për t'u përsëritur", shprehet Del Neri në fund të komentit të tij, duke rimenduar për fitoren 2-0 të arritur dy javë më parë në kryqytet.
/JUVENEWS.TK/