19 prill 2011

Planet e Juventusit, nga Del Piero tek trajneri Del Neri

Bepe Marota, drejtori sportive i Juventusit, në një intervistë të Sky Sport, ka folur për çështjet më të ndeshje të bardhezinjve, duke nisur që nga ecuria e ekipit gjatë këtij kampionati, merkatua dhe e ardhmja e trajnerit Xhixhi Del Neri. Fillimisht, Marota flet për Akuilanin: “Me Liverpulin kemi një raport shumë të mirë, besojmë se do të gjejmë një marrëveshje. Kemi një të drejtë blerje të lojtarit, me një shifër të lartë, të cilën do të përpiqemi që ta ulim. Do të takohemi shumë shpejt me drejtuesit e Liverpulit për të arritur një marrëveshje”. Për të ardhmen e mesfushës së Juventusit flitet edhe për Montolivion, për të cilin Marota shprehet: “Është një lojtar i mirë, jo më kot bën pjesë në Kombëtaren e Italisë. Por, tani është një lojtar i Fiorentinës dhe ne kemi një respekt shumë të madh për këtë klub”.

Merkato- Vitin e kaluar në merkato pati një revolucion të vërtetë, këtë vit çfarë duhet të presin tifozët e Juventusit?:“Në fakt, për revolucion nuk kemi folur as sezonin e kaluar, kemi folur për një rinovim të ekipit. Ishte një cikël i destinuar që të mbyllej, duke pasur parasysh këtu Kamoranezin apo Trezegenë, lojtarë megjithatë me vlera të mëdha. Kemi filluar rinovimin, duke hedhur bazat. Tashmë duhet që të vazhdojmë me përmirësimin e këtij grupi dhe me gjetjen e 2-3 lojtarëve me kualitet të lartë, për t’ja bashkangjitur grupit aktual të lojtarëve. E gjithë kjo është në përputhje me linjën që shoqëria ka menduar që më parë të ndjekë”.

Trajneri- Një nga gjërat më të rëndësishme për sezonin e ardhshëm për Juventusin, është gjetja e trajnerit: “Nuk jemi në kushtet për të dhënë një vendim apo për të gjetur trajnerin e ri. Me Del Nerin kemi një kontratë dy vjeçare dhe për këtë do të flasim në fund të sezonit. Shoqëria nuk do të ndalet, është duke punuar për të arritur përmirësime. Diskutimin për trajnerin do ta bëjmë në momentin e duhur, duke marrë në konsideratë profesionalitetin, përkushtimin dhe vështirësitë me të cilat është përballur trajneri aktual”.

Del Piero- Një nga prioritetet e Juventusit është rinovimi i kontratës së kapitënit Del Piero: “Dua që t’ju referohem fakteve dhe faktet thonë se presidenti Anjeli është takuar dhe ka folur drejtëpërdrejtë me Del Pieron: kanë gjetur lehtësisht një marrëveshje. Tashmë është një çështje formale dhe ka mbetur pa u hedhur vetëm firma. Mirëkuptimi megjithatë është arritur”.

Bufon- Një flamur i ekipit do të qendrojë, por një tjetër nuk është i sigurtë nëse do të qendrojë, të paktën sipas zërave që qarkullojnë: “Bufon është një trashëgimi e jona dhe ne nuk jemi një shoqëri që kërkojmë të largojmë yjet tanë. Xhixhi është portieri më i mirë i këtyre 10 viteve të fundit. Ne nuk mund të privohemi kaq lehtë nga një trashëgimi e tillë. Nuk ka pasur asnjëherë nga ana jonë vullnet për ta shitur atë”.

Kampionët- Teveze dhe Neimar janë dy nga emrat që përfliten më shumë për merkaton e Juventusit. Ëndërr apo realitet?: “Janë dy lojtarë të shkëlqyer, është kënaqësi që t’i kesh në ekip. Por, të gjitha ekipet e botës do t’i dëshironin. Megjithatë, përveç kënaqësisë sportive, duhet llogaritur dhe duhet të përballemi edhe me realitetin ekonomik. Janë dy operacione ekonomike jo të lehta. Për më tepër dimë që Çelsi tashmë ka bërë një ofertë për Neimar”.

Fitoret- Ajo që tifozët e Juventusit duan të dinë më shumë, është ajo se kur ekipi do të rikthehet tek fitoret?: “Skuadrat para nesh, duke përfshirë këtu edhe Udinezen, janë konsoliduar me kalimin e viteve. Napoli është një realitet i jashtëzakonshëm, por janë dashur vite për t’u arritur deri këtu. Në sport nuk mund të imagjinohet që nga një moment në tjetrin do të rifillojmë të fitojmë. Tifozët me të drejtë kërkojnë fitore, por kjo gjë nuk është e lehtë, kompeticionet janë të vështira”. /JUVENEWS.TK/