23 mars 2011

Djemtë e këqij të Italisë

Romë, 23 mars - Italia ka nxjerrë shumë futbollistë të mëdhenj, por disa prej tyre talenti u ka ngelur në plan të dytë shkaku i sjelljeve të tyre të pahijshme, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Madje, shumë futbollistë të mëdhenj të Italisë, nuk kanë arritur kurrë në Përfaqësuese shkaku i sjelljeve të tyre, e disa janë përjashtuar për të mos u ftuar kurrë më. Ata që janë njohur si "kasapë" për kundërshtarët, megjithatë gëzojnë një lloj respekti të paktën nga tifozët e skuadrës së tyre, por ka edhe të atillë që nuk mund të respektohen nga askush, pasi kanë rrahur kundërshtarët, arbitrin e madje dhe trajnerin, shkruan “JuveNews”.
Ja lista e dhjetë futbollistëve më të këqij të futbollit italian.

10 - Giorgio Chinaglia

Chinaglia ka qenë aq i njohur dhe i famshëm në Romë sa edhe Papa do të pranonte të dilte në fund të gazetës për t'ia lënë ballinën të njohurit me nofkën "Long John". Sulmuesi ka shënuar 98 gola me fanellën e Lazios në periudhën 1969-1976. Chinaglia ishte më i merituari për titullin e fituar në vitin 1974, me 24 gola të shënuar, që i dhanë atij edhe epitetin e golashënuesit më të mirë. Chinaglia ka pasur një karakter kontrovers, që i ka kushtuar shumë për të bërë karrierë te Përfaqësuesja e Italisë. Gjatë Kampionatit Botëror të vitit 1974 në ndeshjen kundër Haitit, Chinaglia u zëvendësua dhe rrugës për në zhveshtore fyeu seleksionuesin e atëhershëm Ferruccio Valcareggi. Ai inatin e vazhdoi në zhveshtore, duke thyer gjithçka para vetes. Ky akt i agresivitetit edhe ia përfundoi karrierën te Italia me vetëm 14 paraqitje dhe katër gola të shënuar. Ai karrierën e vazhdoi në SHBA te skuadra New York Cosmos, por ka pasur probleme të shumta, përfshirë këtu edhe ato me bashkëlojtarin e tij, legjendarin Pele.

9 - Christian Vieri

Një karakter i ndjeshëm si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Vieri ka qenë sulmuesi më i mirë në botë, para kolapsit, i cili e kapi pas përfundimit të "Euro2004". Ai ka pasur marrëdhënie shumë të këqija me mediumet, pasi shumë rrallë ka dhënë intervista dhe njëherë u pati thënë "unë jam më i mirë se gjithë mediumet së bashku". Ai zgjodhi rrugën për t'u larguar nga Interi, duke refuzuar madje edhe të festonte golat. Më vonë ka akuzuar Interin se ata ilegalisht e kanë spiunuar atë si pjesë e investigimit të skandalit italian "Calciopoli". Jeta e Vierit në aspektin e dashurisë ka qenë një kaos i vërtetë. Ai në krahët e tij ka pasur shumë modele të njohura italiane si Elisabetta Canalis e Melissa Satta dhe këto lidhje të shumta i kanë kushtuar në karrierë.

8 - Francesco Flachi

Njëri prej talentëve italianë që jashtë fushës nuk ka mundur t’i kontrollonte veset e tij. Në vitin 2006, Flachi ishte suspenduar për dy muaj për lojën e kumarit para se të dënohej për dy vjet si pasojë e përdorimit të kokainës. Flachi u rikthye në vitin 2009, por menjëherë pas disa muajve ai doli sërish pozitiv në kontrollin e kokainës. Kësaj here, Flachit iu dha një dënim prej 12 vjetësh, i cili edhe praktikisht ia mbylli karrierën, përveç nëse ai synon të luajë futboll profesionist në moshën 47-vjeçare.

7 - Pasquale Bruno

Njeri i fortë dhe më "i poshtri" i futbollit italian pas pensionimit të Claudio Gentiles. Bruno është njohur me nofkën "Bisha", shkaku i stilit të tij të ashpër në mbrojtje. Ish-futbollisti i Juventusit, Torinos e Lecces njëherë ishte suspenduar me tetë ndeshje pasi pati sulmuar fizikisht arbitrin. Të gjithë bashkëlojtarët janë munduar ta qetësojnë, por nuk ia kanë arritur qëllimit. Bruno ishte në gjendje t'ua thyente kundërshtarëve këmbët dhe gjatë karrierës ka marrë shumë kartonë. Ai u bë hero te skuadra skoceze Hearts, pasi skuadrës rivale Hibernian, iu afrua te banka dhe ua bëri me dorë se do t'ua "presë fytin të gjithëve".
Para kësaj ai shqelmoi në stomak një lojtar të Hibernianit. Ai më herët ka kritikuar futbollistët modernë, që sipas tij kujdesen vetëm për vathë, tatuazhe, klube të natës dhe blerje. Bruno ka thënë se po të luante ende do t'i kishte dhënë një mësim të fortë Zlatan Ibrahimoviqit. Bruno bëri karrierës gjatë periudhës 1979\97.

6 - Omar Sivori

Sivori do të mbahet në mend si njëri ndër futbollistët më të mëdhenj të Juventusit, por edhe për përjashtimet nga loja. Futbollisti i vitit i Evropës për vitin 1961, është ndëshkuar me karton të kuq dhjetë herë gjatë shtatë vjetëve te Juventusi dhe gjithmonë është konfrontuar me arbitrat dhe lojtarët kundërshtarë. Ai vitet e fundit të karrierës i ka kaluar te skuadra e Napolit, ku gjithashtu është përballur me suspendime të shumta.

5 - Marco Materazzi

Njëri nga futbollistët më të urryer në planet, Materazzi konsiderohet i patalentuar dhe si një "kafshë" e vërtetë. Ai është shumë "i poshtër" për kundërshtarët, që i provokon në të gjitha mënyrat. Mirëpo, në verën e vitit 2006, Materazzi i ka kaluar tri javët më të mira në jetë. Ai shkëlqeu si zëvendësim i Alessandro Nestas të lënduar dhe me Italinë fitoi titullin e botës. Goli i tij me kokë në finale dhe penalltia e shënuar u lanë në hije, pasi shkaku i tij u përjashtua mesfushori i Francës, Zinedine Zidane. Ky i fundit e goditi me kokë në gjoks Materazzin pas provokimeve të shumta. Materazzi u dënua me dy ndeshje nga FIFA. Ai gjithashtu e ka festuar fitoren e Interit kundër Milanit me një maskë të Silvio Berlusconit në fushë. Kurse, së fundi pati një zënkë me Bastian Schweinsteigerin pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Bayernit.

4 - Mario Balotelli

Edhe pse i ka vetëm 20 vjet, Balotelli deri më tani nuk ka arritur të ketë sjellje të mira me asnjë bashkëlojtar, kundërshtar, trajner, tifoz apo zyrtar të klubit. Sjelljet e Balotellit e rangojnë atë në klasën e dytë të qytetarëve, pasi në një intervistë pati thënë se nuk mund ta duronte Cristiano Ronaldon. Pastaj haptazi pati pranuar se bën tifo për Milanin, ndonëse luante për Interin. Kurse, në prezantimin te Manchester City pati pranuar se nuk ka dashur t'i bashkohej kësaj skuadra angleze. Gjithashtu ka deklaruar se kurrë nuk ka dëgjuar për Jack Wilsheren e Arsenalit para derbit në Premier League. Balotelli disa herë u pati suspenduar nga Jose Mourinho sa luante tek Interi. Me një rast, pati hedhur përtokë fanellën e ekipit. Ai iu bashkua Cityt para fillimit të këtij edicioni dhe tashmë ka krijuar probleme me trajnerin Roberto Mancini. Ai ka qëlluar një kundërshtar sikur të ishte karateistë dhe tashmë shkaku i sjelljeve të tij është lënë jashtë Përfaqësueses së Italisë nga Cesare Prandelli.

3 - Paolo Di Canio

Njëri nga futbollistët e mëdhenj italianë që kurrë nuk ka luajtur për Italinë. Temperamenti i tij ka bërë që Di Canio asnjëherë të mos veshë fanellën e Përfaqësueses italiane. Di Canio u pati shitur nga Juventusi pas një rrahjeje me trajnerin Giovanni Trapattoni, kurse te Sheffield Wednesday pati bërë gjestin më të ulët, pasi pati rrëzuar përtokë arbitrin Paul Alcock në një ndeshje kundër Arsenalit. Kjo i kushtoi me suspentim prej 11 ndeshjeve. Para kësaj ai është rrahur edhe me trajnerët Ron Atkinson e Danny Wilson. Ai u pati bërë legjendë te West Ham Unitedi, por sërish pushtoi ballinat kur u rikthye te Lazio dhe përshëndeti tifozët në mënyrën naziste.

2 - Claudio Gentile

Mbrojtës i fortë dhe shumë i ashpër. Sulmuesit kundërshtarë janë dridhur kur kanë mësuar se do të kenë punë me Gentilen. Ai është treguar i dhunshëm edhe në Botërorin 1982, kur markoi Diego Maradonën në mënyrën më të keqe të mundshme. Gjithashtu ia pati shqyer fanellën brazilianit Zico. "Nëse shkon edhe në toalet, Gentile do të përcjellë", pati thënë Mario Kempes për mbrojtësin e ashpër italian. Gentile me Juventusin ka fituar gjashtë tituj kampioni. Kur anglezi Kevin Keegan pati fituar epitetin e futbollistit më të mirë të Evropës, Gentile iu pati afruar dhe i pati thënë: "T'i kurrë nuk do të kishe fituar një çmim të tillë sikur të kishe pasur punë me mua". Shumëkush është i bindur se mbrojtës si Gentile më nuk do të lindë.

1 - Antonio Cassano

I lindur në ditën kur Italia fitoi titullin e botës në vitin 1982, Cassano, ka qenë ndër futbollistët më të talentuar të gjeneratës së tij. Ai me vetëm 17 vjet kaloi në Serie A kur i shënoi gol Interit me fanellën e Barit. Cassano ka pasur probleme të mëdha me trajnerët në kohën sa ishte te Roma, Real Madridi dhe Sampdoria. Luciano Spalletit, me një rast i pati thënë: Këtu nuk po stërvit lojtarë të lodhur si tek Udinese, je te Roma. Kjo nuk është shtëpia jote". Te Reali pasi nuk u pati inkuadruar fare në lojë nga Fabio Capello në zhveshtore i pati thënë: "Ti je më fals se paratë e lojës monopol". Ndërsa, Luigi Del Nerin te Sampdoria e pati porositur të mos fliste, sepse edhe nuk po kupton gjë. Të gjitha këto fakte, Cassano i ka zbuluar në biografinë e tij. Ai ka bërë të ditur se ka fjetur me rreth 700 femra pa i mbushur 25 vjet. Sa ishte te Reali, në mënyrë "tinëzare" gjithmonë ka pasur një femër në dhomë një natë para ndeshjes. Ai u pati dënuar me pesë ndeshje pasi e ka gjuajtur arbitrin me fanellën e tij, kurse djalin e trajnerit Marcello Lippi, e pati rrahur në një klub nate. Kjo i ka kushtuar që ai të mos ishte pjesë e Italisë në Botërorin 2010. Ai këtë janar kaloi te Milani nga skuadra e Sampdorias shkaku i fyerjeve ndaj presidentit Ricardo Garrone. Raportohet se në ditën kur ka firmosur kontratë me Romën, Cassano në një fshat ka vjedhur një motor.
/JUVENEWS.TK/