25 mars 2011

Në vend të Bursasporit, Kosova miqësore me Renovën


Prishtinë, 25 mars - Për përzgjedhësin Albert Bunjaki nuk është e rëndësishme se kundër kujt do të luajë Përfaqësuesja e Kosovës të dielën. Rezultati i ndeshjes dhe emri i kundërshtarit thotë se nuk çojnë shumë peshë. Për të e rëndësishme është që Përfaqësuesja e Kosovës të tubohet.
Përfaqësuesja e Kosovës të dielën (15:00) do të zhvillojë ndeshje miqësore me kampionen në fuqi të Maqedonisë Renovën. Më herët është thënë se kundërshtar i Kosovës do të jetë kampioni në fuqi i Turqisë, Bursaspori. Kjo skuadër fillimisht konfirmoi ardhjen në Prishtinë, por më pas anuloi udhëtimin, pasi nuk mori pëlqimin e Federatës së Futbollit të Turqisë. Federata turke ishte kundër takimit me arsyetim se FFK-ja nuk është e pranuar në FIFA e UEFA.

Përzgjedhësi Bunjaki të enjten, në një konferencë për shtyp, ka bërë të ditur emrat e futbollistëve në të cilët llogarit për miqësore me Renovën. "Me rëndësi për ne është që të kemi tubime, të njihen lojtarët. Nuk çon peshë se kush është kundërshtar. Primar nuk është as rezultati e as kundërshtari. Natyrisht, do të kisha dëshirë që në Kosovë të vijë një ekip i madh", ka thënë përzgjedhësi Albert Bunjaki. Bunjaki ka ftuar 20 futbollistë. Gjashtë prej tyre janë pjesë e ekipeve të Suedisë, katër luajnë në Gjermani, katër në Kosovë, dy në Shqipëri, nga një në Itali, Zvicër e Norvegji, ndërsa njëri prej të ftuarve, Shqipëron Skeraj, është pa skuadër. Për grumbullimin që nis që sot, Bunjaki ka ftuar edhe gjashtë futbollistë të rinj nga ekipet kosovare, por të cilët nuk do të paraqiten në këtë takim.

Refuzimi i klubeve për të liruar kosovarët

Përzgjedhësi i Kosovës, edhe kësaj here ka pasur vështirësi për grumbullimin e skuadrës. "Shpëtim Hasanin e Astrit Ajdareviqin nuk i ka liruar klubi i tyre, Norrkoping. Leje nga klubi për t'iu bashkuar Përfaqësueses nuk ka marrë as mbrojtësi Mërgim Mavraj. Kjo është hera e tretë që Mavraj nuk siguron leje nga klubi, me gjithë vullnetin e tij", ka thënë Bunjaki. Ai ka njoftuar se vështirësi për t'iu bashkuar përfaqësueses kishin edhe lojtarë të tjerë, si Anel Rashkaj e Kujtim Bala të Halmstadit. Për herë të parë në Përfaqësuese janë ftuar mesfushori i Bochumit, Faton Toski, sulmuesi i Orebros, Kushtrim Lushtaku dhe Dardan Rexhepi, që sipas Bunjakit është pjesë e Akademisë së Juventusit. Përzgjedhësi i Kosovës ka bërë të ditur se kriter në përzgjedhje ka qenë edhe mosha e futbollistëve. Sipas tij për këtë arsye edhe nuk ka ftuar Shefki Kuqin, sulmuesin e Newcastlet. Kuqi 34-vjeçar ka përsëritur vazhdimisht se është i interesuar të luajë për Kosovën dhe se mirëpret një ftesë nga Përfaqësuesja. "Po të ishte primare rezultati do ta kisha ftuar Shefkiun. Por, për këtë takim rezultati nuk është primar. Ne jemi në proces të formimit të një Përfaqësueseje dhe në këtë fazë më intereson edhe mosha e lojtarëve. Kur të luajmë ndeshje eliminatore, atëherë mosha e lojtarëve nuk do të më interesoj", ka theksuar Bunjaki. Sipas tij, qëllimi final është krijimi i një reprezentacioni të fuqishëm. Bunjaki ka thënë se në të ardhmen Përfaqësuesja duhet të bazohet në lojtarë që do të dalin nga Kosova. Ai ka thënë se lojtarët që luajnë në Kosovë, tash për tash nuk janë konkurrentë të lojtarëve që luajnë jashtë vendit.

Pesë futbollistë kosovarë kundër Kosovës

Përzgjedhësi Bunjaki ka thënë se nuk ka shumë informata për futbollin e Maqedonisë. Ai për këtë ndeshje kishte ftuar edhe portierin e Renovës, Kushtrim Mushicën, i cili në marrëveshje të dyanshme në ndeshjen e së dielës do të ruajë portën e kampiones së Maqedonisë. Përveç Mushicës, pjesë e Renovës janë edhe Faruk Statovci, Fisnik Gashi, Ymer Xhaferi e Genc Hyseni. Kjo skuadër drejtohet nga trajneri kosovar Bylbyl Sokoli. "Ymer Xhaferi është potencial dhe interesant për Përfaqësuesen. Ai ishte potencial edhe për këtë ndeshje, por kemi vendosur të ftojmë disa lojtarë të tjerë. Edhe Genc Hyseni është lojtar interesant", ka thënë Bunjaki. Renova është skuadra e parë shqiptare që fitoi titullin e kampionit të Maqedonisë. Aktualisht zë pozitën e tretë.
"Renova do të prezantohet denjësisht në këtë takim. Kosova ka Përfaqësuese mjaft të mirë. Ne do të mundohemi të prezantohemi sa më mirë dhe t'i rezistojmë Përfaqësueses së Kosovës. Renova është skuadër cilësore dhe kundërshtar i përshtatshëm për Kosovën", ka thënë Sokoli. Sipas tij, të gjithë lojtarët kosovarë të Renovës do të ishin të vlefshëm për përfaqësuese. Përfaqësuesja e Kosovë të premten (sot) do të zhvillojë stërvitjen e parë, që do të mbahet në stadiumin e KEK-ut në Kastriot, nga ora 15.00. Në stadiumin e KEK-ut do të zhvillojë një stërvitje edhe të shtunën, ndërsa të dielën në mëngjes do të zhvillohet stërvitje në stadiumin e Prishtinës, ku edhe do të luhet takimi që nis në orën 15:00. Kjo është ndeshja e parë e Kosovës këtë vit. Vitin e kaluar, Kosova luajti tri miqësore, me përzgjedhjen e Superligës së Shqipërisë, ekipin suedez Halmstad dhe atë zviceran Xamax.

Të ftuar për këtë ndeshje janë:

Portierë: Etrit Berisha (Kalmar - Suedi), Valmir Bytyqi (Besa)

Mbrojtës: Kujtim Balaj (Halmstad - Suedi), Avni Pepa (Start - Norvegji), Shqipron Skeraj, Liridon Kukaj (Vllaznia - Shqipëri), Fisnik Papuqi (Hysi), Ilir Berisha (Prishtina)

Mesfushorë: Anel Rashkaj (Halmstad - Suedi), Ardian Gashi (Helsingborg - Suedi), Kristian Nushi (St. Gallen - Zvicër), Valdet Rama (Orebro - Suedi), Enis Alushi (Paderborn - Gjermani), Faton Toski (Bochum - Gjermani), Shqipron Bektashi (Freiburg - Gjermani), Ilir Nallbani (Vllaznia - Shqipëri), Mentor Zhdrella (Hysi)

Sulmues: Kushtrim Lushtaku (Orebro - Suedi), Alban Ramaj (Erzgebirge Aue - Gjermani),
Dardan Rexhepi (Akademia e Juventusit - Itali). /JUVENEWS.TK/