25 mars 2011

Zidane: Juve, merr Menezin që të fitosh!

Ish-fantazisti i bardhezinjve beson se presidenti Anjeli do të ringrejë “Zonjën e vjetër”

Kur je një juventin i tillë do të jesh gjithmonë. Zinedin Zidan e ka pëshpëritur këtë duke buzëqeshur dhe sytë që i shkëlqenin: një zë i ulët për një mesazh të ëmbël dhe delikat si një përkëdhelje.

Në stadiumin “Olimpiko” për derbin kundër SLA-së (sëmundje neurologjike degjeneruese) ka mbërritur i fundit dhe është dukur si një mrekulli: i rikthyer, pas dhjetë vitesh, me atë fanellë mbi shpatulla, ka qenë një ndjesi e çuditshme. Në tribunë një baba i ka treguar Zizunë djalit të tij: “Shiko, ai ka qenë më i madhi.

Dhe ka luajtur këtu”. E kaluara e lavdishme kthehet në një urë drejt një të ardhmeje fituese dhe vetë Zidan ka analizuar me qetësi vështirësitë aktuale: “Më vjen keq të shikoj Juventusin në këtë pozicion, sepse ky klub duhet të fitojë gjithmonë.

Kanë ndryshuar disa gjëra, duhet pak kohë, por emri i Anjelit është një garanci dhe shpresoj pikërisht që Andrea të bëjë mirë”.
KESHILLA - Zizu nuk ka harruar të ndjekë ish-skuadrën e tij: “E keni parë çfarë goli ka bërë të dielën Del Piero?

Më befason që vazhdon të luajë akoma në këto nivele. Për të ardhmen është e vështirë të japësh këshilla: Hazard është i aftë, por nuk e di nëse mund të jetë Zidan i ri, Menez po paraqitet mirë me Romën dhe mund të jetë një lojtar i denjë për Juven.

Unë i kam këshilluar edhe herë të tjera që ta marrin nëse duan që të fitojnë”. Në lidhje me mundësinë e një rikthimi të tijin në Torino si drejtues: “Eshtë e pamundur. Unë drejtues i Juves? Kurrë nuk duhet thënë kurrë. Edhe kur një juventin je i tillë për gjithmonë”.

TRAJNERI - Më pas Zizu ka shkuar drejt dhomës së zhveshjes për t’u takuar me Marçelo Lipin. Ka qenë nata e bamirësisë, por ka qenë edhe nata e kujtimeve dhe rikthimeve. Lipi nuk ka folur para gazetarëve që pas fundit të Botërorit dhe është afër rikthimit: “Një ofertë stimuluese do ta pranoja.

Kam dëshirë të stërvis për dy ose tre vite të tjera, por jashtë Italisë”. Domethënë nuk ka Itali dhe për rrjedhojë nuk ka Juve: “Sa herë që skuadra është në vështirësi përmendet emri im. Të vetmet kontakte që kam pasur kanë qenë disa vite më parë”. Por, natyrisht, Juven e ndjek si tifoz:

“Prej dy vitesh ka njerëz që po punojnë seriozisht: rezultatet nuk po vijnë, por janë pozitiv entuziazmi dhe dëshira e atyre që duan ta rikthejnë Juventusin një skuadër të madhe”. Ka ardhur edhe një koment për kombëtaren e Italisë: “Edhe nëse Botërori do të kishte shkuar më mirë, rindërtimi do të kishte qenë i pashmangshëm. Prandeli është njeriu i duhur për këtë.

Fatkeqësisht janë të paktë italianët që luajnë me skuadrat e mëdha. Titulli? Milani dhe Interi kanë të njëjtat mundësi”. Pasi Lipi është ulur në stol Zidan ka treguar fizikun e tij akoma në formë të mirë dhe ka thënë: “Mund të kisha luajtur edhe disa vite më shumë, jam në formë akoma tani”. Jepini një fanellë: në dhomat e zhveshjes të Juventusit të Del Nerit nuk do të ofendohej asnjeri.
/JUVENEWS.TK/