29 mars 2011

Prandeli, me Ukrainën 7 ndryshime

Italia merr një tjetër formë. Cesare Prandeli, në prag të ndeshjes miqësore me Ukrainën, ka bërë publik formacionin që do të sfidojë Andrej Shevçenkon me shokë. Shtatë ndryshime në krahasim me ndeshjen zyrtare kualifikuese ndaj Sllovenisë: janë konfirmuar vetëm Maxhio, Kielini, Akuilani dhe Rikardo Montolivo. Në sulm do të ketë hapësirë për dyshen Xhiusepe Rosi dhe Alberto Xhilardino. Trajneri i kombëtares italiane ka një mesazh për sulmuesin italian, Mario Baloteli, që ka mbetur jashtë skuadre për shkak të sjelljes së tij: "Ajo që ai kryen jashtë fushës së lojës kondicionon shumë gjykimin për atë që bën brenda fushës së lojës. Në këtë mënyrë, me sjelljen e tij dëmtohet vetë". Një ndeshje e vërtetë. E ka përkufizuar në këtë mënyrë Cesare Prandeli ndeshjen me Ukrainën, që ka shumë dëshirë të shikojë një paraqitje të mirë nga grupi tij pas fitores së bukur të arritur në ndeshjen me Slloveninë: "E kam parë grupin shumë të motivuar, dëshira për të luajtur është, ka shpjeguar Prandeli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes, duhet të heqim nga përdorimi fjalën ndeshje miqësore, unë pres në Kiev një ndeshje të vërtetë. Dëshiroj të shikoj një ritëm më të lartë dhe më shumë shpirt sulmues në krahasim me ndeshjen e të premtes në Lubjanë, pres që skuadra të ndërtojë mirë aksionet që nga metrat e parë të fushës". Në këtë ndeshje do të ndryshojnë interpretuesit. Njëmbëdhjetëshja titullare është praktikisht e revolucionarizuar në funksion të eksperimentimit: "Do të luajnë Viviano, Maxhio, Krishito, Gastadelo, Kielini, Nocerino, Markizio, Montolivo, Akuilani, Xhilardino dhe Xhiusepe Rosi. Rosi është në një moment të madh qetësie, dëshiroj nga ai të njëjtën dëshirë dhe personalitet që ka treguar në stërvitje këto ditë dhe në ndeshjet që ka zhvilluar me Vilarealin".

Nuk do të jetë nga minuta e parë Antonio Kasano, do të ketë ndërkohë hapësirë për lojtarët e Juventusit me përjashtim të Bufonit dhe Leonardo Bonucit. Për Pibe de Bari nuk bëhet fjalë për një lënie përfundimtare jashtë formacioni: "Mbetet një pikë e fortë e këtij projekti që kemi filluar, asnjë lojtar që është këtu nuk duhet të ndihet titullar, por vetëm pjesë e rëndësishme e këtij grupi. Në Lubjanë, gjithsesi, Antonio më ka pëlqyer shumë me paraqitjen e tij". I kanë pëlqyer më pak trajnerit të kombëtares "sjelljet e fundit të rënda" të sulmuesit Mario Baloteli, që për këto ndeshje të Italisë është vendosur të lihet jashtë skuadre: "Nuk i njoh shumë mirë detajet në lidhje me polemikën e fundit dhe për këtë nuk dëshiroj të hyj shumë në brendësi. Nëse me të vërtetë ka thënë që mërzitej, herën e ardhshme mund të më telefonojë dhe të më flasë për këtë çështje… Por, është e qartë që çdokush është përgjegjës për sjelljet e tij, ka shpjeguar më tej Prandeli idenë e tij në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Ukrainën. Unë në skuadrën kombëtare dua lojtarë të përgjegjshëm. Do të jetë fusha e lojës në dy muajt e ardhshëm, që do të tregojë nëse Mario Baloteli është gati për këtë aventurë me ne. Ajo që ai bën në fushën e lojës mund të jetë e kondicionuar nga sjelljet e tij jashtë fushe. Në këtë mënyrë, ai dëmton shumë veten e tij. Por, ndërkohë duhet të qëndrojë i kujdesshëm, sepse futbolli të djeg shumë shpejt, do ta kisha grumbulluar për ndeshjen në Kiev, por do të më vinte shumë keq të prekja ekuilibrat e grupit".
/JUVENEWS.TK/