30 mars 2011

Juventusi, Neimar gjithnjë e më larg

Për bardhezinjtë ndryshojnë objektivat në merkato, pasi talenti brazilian kushton shumë

Afrohet dita e ndeshjes Roma-Juventus, e cila për bardhezinjtë është e para, nga 8 ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit, që nuk duhet të gabohet, duke synuar minimalisht kualifikimin në Ligën e Europës për vitin e ardhshëm, edhe për shkak se në merkato aktiviteti i bardhezinjve po bie dhe për të rilindur do të jetë shumë e rëndësishme pjesëmarrja në një kompeticion ndërkombëtar.

Një Juve protagoniste sërish në Europë, mund të luftojë me Barcelonën, me dy ekipet e Mançesterit dhe me Çelsin, për të mbërritur tek një supertalent si Neimar, fenomeni më i ri brazilian i Santosit, i cili që në moshën 19-vjeçare është bërë titullar i Seleçaos.

Të dielën, ai ka firmosur rezultatin 2-0 kundër Skocisë në miqësoren e luajtur në Londër, pas një dopiete të tij dhe me një lojë spektakolare të të gjithë ekipit. Një ndeshje që nuk ka shpëtuar as nga sjelljet raciste të tifozëve skocezë, të cilët hodhën një banane në fushën e lojës, kundër talentit brazilian, që i ndëshkoi 2 herë.

Në tribunë ishte edhe krahu i djathtë i Marotës, Fabio Paratiçi, i dërguar në Londër për të vlerësuar pistat e hapura për merkaton e klubit bardhezi, duke nisur pikërisht që nga ylli brazilian. Për Juven, Neimar është pothuajse i paarritshëm, duke parë koston e kartonit të tij, mbi 30 milionë, dhe konkurrencën prestigjioze të klubeve më të mëdha europiane.

Edhe pse klubi torinez ka gati 1 vit, që është vënë në ndjekje të sulmuesit të talentuar të Santosit, duket se gadishmëria e Çelsit për të ofruar rreth 35 milionë euro, ia vështirëson shumë planet drejtuesve bardhezinj. Në Londër gjenden edhe objektiva të tjerë si Modriç, Klishi, Bosingua, Ivanoviç ose Zhirkov.

Nga Franca dhe Spanja mund të mbërrijnë Bastos dhe Maskerano, për të treguar se si po punon Juve për sezonin e ardhshëm. Të martën ekipi torinez do të kthehet të stërvitet, pa lojtarët e grumbulluar me kombëtaret respektive, ndërkohë që trajneri i ri nuk është bërë ende i ditur.

I jashtëzakonshmi Neimar mund të mbetet një ëndërr për tifozët bardhezinj, të cilët janë zhgënjyer prej kohësh me drejtuesit aktualë të klubit dhe me performancat që kanë demonstruar futbollistët në këtë sezon, teksa prisnin kthesën e madhe pas dështimit që pësuan vitin e kaluar.
/JUVENEWS.TK/