19-vjeçari ndiqet nga Juventusi, Fiorentina, Lacio, Roma dhe Palermo. Është zbuluar nga ish-zëvendësi i Trapatonit
Ka lindur në Gjilan, një qytet në Kosovë, por ka pashaportë zviceriane dhe luan në skuadrën kombëtare të drejtuar nga Otmar Hitcfeld: historia e Xherdan Shaqirit ngjason shumë me atë të Valon Behramit, i të njëjtës kombësi, që ka lindur në Mitrovicë, përpara se të emigronte me familjen e tij në Stabio, një kanton italian në Zvicër. Është një mesfushor krahu që luan për Bazelin, ka nëntëmbëdhjetë vite mbi shpatulla, është sallaks: elegancë dhe forcë, një teknikë e mirë, intensitet dhe lëvizje cilësore, krose të kalibruara, dribbling i jashtëzakonshëm, shpejtësi dhe shpërthime të paparashikuara.
Vlerësohet në Itali
Shaqiri është një trekuartist që ka gjetur dimensionin e tij ideal në krahët e mesfushës: është shumë i shpejtë dhe dhuron asiste për shokët e skuadrës, ka aftësi brilante për t'u futur në zonën e rreptësisë. Skema 4-4-2 është edhe moduli që i garanton më shumë liri veprimi, duke pasur në këtë mënyrë mundësi të besojë tek ndihma, tek mbrojtja, e një mbrojtësi pas krahëve të tij. Por Xherdan Shaqiri është vendosur shumë herë edhe në pozicionin e mbrojtësit të djathtë në fillimet e karrierës së tij: ka treguar cilësi të mëdha, duke parë shpirtin e tij punëtor dhe adaptimin maksimal në çdo pozicion që kërkohet kontributi i tij. Ka firmosur me Bazelin një kontratë deri në 30 qershor 2014: është zbuluar edhe në Champions Ligë, është studiuar me shumë kujdes edhe nga Juventusi dhe nga Fiorentina, për të janë informuar edhe skuadra si Lacio, Roma dhe Palermo.
Titulli kampion dhe Kupa e Zvicrës
Ndërmjet kampionatit zvicerian, Champions Ligës dhe Europa Ligës, Shaqiri përgatitet të arrijë në numrin e njëqind ndeshjeve si profesionist: është aktualisht në kuotën e 92 ndeshjeve dhe 13 golave të shënuar. Numra që marrin një peshë akoma më të madhe në raport me kartën e tij të identitetit: është një lojtar i datëlindjes 1991, do të festojë njëzet vjetorin e tij vetëm në 10 tetorin e ardhshëm. Është talenti zvicerian më premtues dhe ka një pjekuri për t'u admiruar: në vitin 2010 ka fituar titullin kampion dhe kupën kombëtare. Shaqiri ka një fizik kompakt: lëvizje dhe driblime që janë të organizuara shumë mirë brenda një metri dhe 70 centimetrave gjatësi për një peshë 69 kilogram. Është disi i vogël në staturë, shkon shpesh në fundore dhe i shërben sulmuesit, ose ndryshon ritëm dhe sulmon nga qendra, duke kërkuar të shfrytëzojë superioritetin numerik që krijon shpesh herë driblimi dhe shpejtësia e tij në lëvizje.
Zëvendësi i Trapatonit
Në moshën tre vjeçare është larguar nga Gjilani, për t'u transferuar në Zvicër sëbashku me prindërit e tij. Ka filluar të luajë në shkollën e futbollit "SV Augst". Në vitin 2001, është parë me interes nga Bazeli dhe është federuar për këtë skuadër. Në vitin 2009, ka debutuar në Europa Ligë, gjatë turnit të parë eliminator kundër Santa Koloma, një skuadër kjo e Andorrës: ndeshja ka përfunduar me rezultatin 3-0. Shaqiri ishte pjesë në skuadrën rezervë të Bazelit dhe kishte arritur të shkëlqente, duke shënuar tetë gola në nëntëmbëdhjetë ndeshje të luajtura, duke luajtur pothuajse gjithmonë në rolin e trekuartistit. Pasi ka provuar shijen e Europa Ligës, Shaqiri ka arritur të debutojë edhe në kupën e ligës në 12 qershor 2009, në ndeshjen kundër Sent Gallenit që është humbur 2-0. Ai që ka favorizuar aktivizimin e tij dhe rritjen e mëtejshme ka qenë Thorsten Fink, 43-vjeçari gjerman, ish- mesfushor i Karsluhes dhe Bajern Mynihut. Fink, ka mbërritur në Zvicër në vitin 2009 dhe dy vite më parë kishte qenë zëvendës i Xhiovani Trapatonit në bankinën e Red Bull Salburgut.
Në Afrikën e Jugut
Xherdan Shaqiri është një lojtar shumë i rëndësishëm i Bazelit dhe ka marrë pjesë me Zvicrën në Botërorin e vitit 2010 në Afrikën e Jugut: Hitcfeld e ka përdorur për pothuajse gjysëm ore në ndeshjen e fundit të Grupit H, kundër Hondurasit, një barazim 0-0 që i ka kushtuar skuadrës kombëtare zviceriane eliminimin nga Botërori dhe mosarritjen në të tetat finale. Shaqiri është në qendër të projektit të ri të Otmar Hitcfeld, që sapo ka zgjatur kontratën e tij me federatën zviceriane të futbollit deri në vitin 2012: dhjetë ndeshje dhe një gol për mesfushorin, që ka shënuar kundër Anglisë së Fabio Kapelos në një ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Euro 2012. Në këtë kampionat, deri më tani, ka luajtur njëzet ndeshje dhe ka realizuar tre gola (kundër Jang Bojs, Sionit dhe Belizonës). Katër asiste në llogarinë e tij. Por, Shaqiri ka luajtur edhe në Champions Ligë, duke rënë në syrin e shumë skuadrave të mëdha: ka dërguar drejt golit Inkom në ndeshjen e fituar 3-1 kundër Romës në stadiumin Olimpiko. Dhe gjithmonë kundër verdhekuqve, në fazën në grupe, ka shënuar një gol, që nuk ka mjaftuar gjithsesi për të shmangur humbjen e Bazelit për rezultatin 3-2.
Thonë për të
Fink, në verën e vitit 2009, nuk kishte hezituar asnjë moment për ta lançuar në skuadrën e parë, duke hedhur poshtë mundësinë që kishin drejtuesit e klubit për ta lëshuar në formë huazimi në ndonjë skuadër tjetër. "Futbolli i tij është zbavitje", është shprehur Fink. Edhe trajneri i kombëtares së Zvicrës e ka promovuar menjëherë në nivele të larta: "Ka klas dhe potencë të madhe". Shaqiri është një sallaks shumë cilësor që siguron një shtytje konstante përpara. Vrapon shumë kilometra, ka rezistencë, ka ritmin e duhur. Në sezonin e shkuar ka qenë një ndër arkitektët e dopietës së Bazelit: katër gola në kampionat dhe një në kupën e ligës. Menaxheri i tij është Maks Ursheller, i njëjti menaxher që ka shërbimet edhe të Ivan Rakitiç, mesfushorit kroat që në muajin janar është shitur nga Shalke 04 tek Sevilja. Bazeli ka marrë shumë oferta për Shaqirin: vlerësimi i merkatos për mesfushorin e krahut është ndërmjet tre dhe gjashtë milionë eurove. Por, drejtuesit e klubit kuqeblu, në këtë moment, janë të përqendruar tek Super Liga zviceriane: skuadra e drejtuar nga Fink është në rrugën e duhur për të fituar titullin kampion, pas njëzet e pesë javëve kampionat ka shtatë pikë avantazh ndaj Zyrihut të vendit të dytë. /JUVENEWS.TK/