29 mars 2011

Juventus, mision në Londër për brazilianin Neymar

E diela ka qenë dita e përshëndetjes përfundimtare e Ronaldos me Brazilin e tij. Fenomeni brazilian ka zbritur në fushën e lojës për t'i dhënë lamtumirën përfundimtare Selecaos, me tifozët që kanë qenë në këmbë për ta duartrokitur dhe për t'i dhënë nderimet maksimale. Por, ishte edhe dita e një tjetër fenomeni të ri brazilian, Neymar, i datëlindjes 1992, 19-vjeçari talent i Santosit dhe kombëtares braziliane, që të dielën në Emirates Stadium, me dy magji të tijat ka entuziazmuar publikun e pranishëm në shkallët e stadiumit dhe i ka dhuruar verdhejeshilëve suksesin në ndeshjen miqësore kundër Skocisë.

Neymar synohet nga Juventusi

Por nuk kanë qenë vetëm tifozët e Selecaos, që kanë shijuar spektaklin e dhuruar nga Neymar, i pranishëm në Emirates Stadium ka qenë edhe krahu i djathtë i drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, Bepe Marrota. Jemi duke folur për Fabio Paratici, drejtorin sportiv të Zonjës së Vjetër, që ka ndjekur me shumë kujdes ndeshjen e zhvilluar nga talenti i ri amerikano-latin të dielën në Londër. Por të arrije të hidhje bazat për një marrëveshje të mundshme nuk ishte aspak e lehtë, sepse në gjurmët e sulmuesit të ri brazilian janë skuadrat më të mëdha të Europës, siç janë Barcelona dhe Chelsi në rreshtin e parë, me Blutë e Karlo Ançelotit, të cilët që në verën e shkuar kishin provuar të siguronin shërbimet e talentit të ri, duke vendosur në pjatën e ofertave plot 25 milionë stërlina. Një ofertë, të cilën talenti Santosit e ka refuzuar. Dy vite më parë, më pas, sirenat e Real Madrid që kanë kërkuar të bindin lojtarin, duke pritur familjen e tij për një javë në Madrid për ta njohur me qytetin dhe projektin e merenguesve. Por braziliani nuk është tunduar lehtë përballë përkëdheljeve të shumta. Dhe tani në kontratën e tij është parashikuar një klauzolë largimi në nivelin e 50 milionë eurove. Një shumë jashtëzakonisht e madhe për një lojtar, që nuk ka mbushur akoma njëzet vite dhe që është kurorëzuar si një fenomen nga të gjithë, përtej edhe lëvizjeve të tij, konfirmimi ka mbërritur nga fjalët e legjendës Pele, që është shprehur hapur se ai "mund të arrijë të bëhet një lojtar më i fortë se unë…". Dhe nëse e thotë, O'Rey duhet të besohet. Fitorja në Botërorin Under 20 nga ana e Brazilit në muajin shkurt, ka ndikuar në rritjen e vlerës së tij, duke parë që në këtë sukses ka kontribuar edhe ai me golat e shumtë të shënuar. Nuk mund të flitet për një pjekuri përfundimtare të sulmuesit, edhe sepse rruga është e gjatë, por nëse dikush mund të kishte ndonjë dyshim për këtë lojtar, do të jetë detyruar të rimendohet disi. Dhe skuadrat e mëdha të Europës e kërkojnë me ngulm. Në gjurmët e tij është edhe Manchester Junaitid.

Neymar dëshiron Europën

"Dua Europën, ka deklaruar kohët e fundit vetë i interesuari direkt që, me sa kuptohet, është tashmë plotësisht gati për hapin e madh edhe se, akoma, është e vështirë të japësh një datë konkrete për këtë transferim. Është një ëndërr që do të realizohet, por nuk di ende se kur do të realizohet. Jam shumë mirë tek Santosi, kam gjithçka që më duhet për t'u rritur dhe për t'u pjekur akoma më shumë. I takon, gjithsesi, klubit të vendosë për të ardhmen time". Dhe është radha e skuadrave të mëdha të Europës, për të hapur portofolin për të kryer një investim të madh. Juventusi është e paralajmëruar dhe tani duhet të fillojë të hedhë hapat e parë në një tratativë të mundshme.
/JUVENEWS.TK/