28 janar 2011
Seria A, kampionati më aktiv në merkaton e dimrit
Skuadrat e kampionatit italian Seria A kanë qenë ndër më aktivet në merkaton e janarit, duke kryer disa nga goditjet kryesore në merkaton e futbollistëve. Megjithatë, pas nuk mbeten edhe Premier Liga me blerjen e Edin Dzeko nga Manchester City dhe Primera Division me blerjen e Emanuel Adebayor nga Reali i Madridit. Por, teksa mbeten vetëm katër ditë deri në fundin e merkatos së janarit, kontaktet midis klubeve të ndryshme bëhen më të vrullshme, me secilin ekip që është në kërkim të përforcimeve. Nga merkato e Serisë A, lajmet më të fundit njoftojnë se zikaltrit e Interit janë gjithmonë e më pranë sigurimit të blerjes së Giampaoli Pazzini nga Sampdoria. Pas ofertës fillestare, klubi xhenovan duket i gatshëm të pranojë propozimin për 14 milionë euro, plus kartonin e Biabiany-së. Shumë pranë transferimit edhe marokeni Hussein Kharja, aktualisht tek Genova. Milan nuk e ka përfunduar ende merkaton edhe pse deri tani kanë mbërritur tre futbollistë, Cassano, Emanuelson dhe Van Bommel. Galliani është në Barcelonë për të biseduar me Espanyolin, për blerjen e të riut 22-vjeçar Didac Vila, mbrojtës i majtë. Juventus zyrtarizon kalimin e mbrojtësit Andrea Barzagli. Me veteranin është lidhur një kontratë deri në vitin 2013. Ndërkohë, pas prishjes së kontratës me Stuttgartin, Mauro German Camoranesi është vendosur në shënjestrën e Romës. Ranieri ka një raport të mirë me italo-argjentinasin, i cili do të mbërrinte me parametra zero. Napoli ka zyrtarizuar blerjen e mbrojtësit të talentuar Victor Ruiz nga Espanyoli. Lajmi u konfrimua në vetë faqen e klubit spanjoll, ndërsa nuk bëhen të ditura detajet e marrëveshjes. Gjithsesi, përveç parave, në Barcelonë përfundon edhe Datolo. Adrian Mutu, pritet të vazhdojë tek Fiorentina, pas fjalëve pozitive të presidentit Andrea della Valle dhe largimit të agjentit të tij, Gigi Becali, në konflikt të hapur me klubin e Firences.