Ish-trajneri i Interit beson se bardhezinjtë i meritonin trofetë e 2005 dhe 2006
Juventusi nuk e meritonte që t’i hiqeshin dy titujt kampionë të Serisë A prej Calciopooli në vitin 2006.. Kjo është deklarata e ish-trajnerit të Interit, Luixhi Simoni. Mesazhi i tij ka ardhur vetëm pak ditë pasi presidenti Masimo Morati ka folur për skandalin që tronditi kampionatin italian afro 4 vjet e gjysmë më parë, duke pretenduar se triumfet e tanishme të zikaltërve konfirmojnë se në atë periudhë Juve favorizohej. Megjithatë, Simoni, i cili ka drejtuar stolin e Interit nga viti 1997 deri më 1999, është i bindur se bardhezinjtë i meritonin plotësisht titujt që fituan me trajnerin Fabio Kapelo në vitet 2005 dhe 2006. “Është paradoksale që Juventusit nuk iu hoqën trofetë e periudhës kur unë drejtoja Interin, por titujt që kishte merituar më shumë”, - tha 71-vjeçari, që tashmë punon si drejtor teknik i modestëve të Gubios, në Divizionin e Dytë të Ligës Pro (kategoria e katërt italiane). “Skuadra që drejtonte Kapelo ishte realisht më e forta e kampionatit”. Sipas Simonit, disa edicione të mëparshme të kampionatit ishin ndikuar në mënyrë më të dukshme nga vendimet pro “Zonjës së Vjetër”. Ai theksoi: “Më kujtohet sezoni 1997-’98. Ishte i veçantë. Për të gjithë aktorët e futbollit ishte e pamundur që të mos dallonin parregullsitë. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për ndeshjen Juventus-Inter dhe për faullin e famshëm të Iulianos ndaj Ronaldos, pasi i gjithë ai kampionat u ndikua nga episode të pabesueshme. Ka pasur vite kur njerëz të caktuar ndikonin te gjyqtarët, por tani kjo nuk ndodh më”. Ndërkohë, “Calciopoli” është ende në pritje të verdiktit të Gjykatës së Napolit.