Trajneri i Juventusit i shqetësuar nga zërat e merkatos: "Çdo ditë gazetat përmendin shumë emra"
Torino (Itali) - Të enjten në mbrëmje do të luhet Juventus-Roma, ndeshjen e vlefshme për Kupën e Italisë, që rikthen një rivalitet të madh dhe në garë është kalimi për në gjysëm finale. Dhe gjithsesi argumenti bazë në prag të kësaj ndeshjeje brenda shtëpisë bardhezi është përsëri dhe gjithmonë e më shumë merkatoja dhe nevojat e Juventusit për përforcime të rëndësishme: "Më vjen shumë mirë, që është duke përfunduar, është shprehur Luixhi Del Neri, çdo ditë gazetat përmendin shumë emra mbi lojtarët e mundshëm që do të vijnë. Dhe si përfundim kanë mbërritur shumë pak në krahasim me atë që kanë shkruar mediat këtë periudhë kohe". Fraza që mund të paralajmërojnë një pakënaqësi të trajnerit bardhezi mbi operacionet që janë kryer gjatë sesionit aktual të merkatos: ndërkohë Del Neri kërkon të vendosë pikat mbi i. "Dua të theksoj, që nëse nuk mbërrin asnjë sulmues shoqëria ka bërë të pamundurën për të sjellë lojtarë që mund të mbushnin grupin, shpjegon trajneri, dhe nëse nuk arrijmë ne shkojmë përpara me këtë grup lojtarësh që kemi që është shumë cilësore dhe me shumë cilësi fizike, duke rikuperuar sigurisht lojtarët e dëmtuar". Dhe në këtë pikë, trajneri ka nënvizuar me forcë konceptet e shpehura edhe disa kohë më parë në konferencat e tij për shtyp: "Dëshiroj të kthehem të përsëris edhe një tjetër koncept, sa për të qenë i qartë me të gjithë: Juventusi kur ka pasur lojtarët e saj në gjendjen më të mirë fizike, shkruajeni mirë, ka luftuar si e barabartë me të gjithë skuadrat në këtë kampionat. Dhe gjithsesi unë eci përpara me lojtarët e mi, tek të cilët kam shumë besim, sepse kanë gatishmërinë dhe impenjimin maksimal, kanë karakter e dëshirë për të bërë shumë mirë për Juventusin".
Ndeshja me Romën, pikërisht në këtë sens, i ka dhënë mundësi Del Nerit të rikuperoj dy lojtarë të rëndësishëm: "Përsa i përket të dëmtuarve jemi më mirë sesa në ndeshjen me Barin. Kemi në dispozicion Iakintën, kemi rikuperuar Felipe Melon dhe kështu që jemi në gjendje për të rikuperuar lojtarë me eksperiencë dhe shumë cilësorë". Në portë do të rikthehet përsëri Marko Storari, që duket se e ka pranuar rolin e zëvendësit të Xhianluixhi Bufon, të paktën deri në muajin qershor: "Kam dy portierë (tjetri është Maninger) që do të alternohen në këtë kompeticion dhe është e drejtë, që nëse ndihet mirë, të luajë Storari, sepse ka treguar se është pjesë e rëndësishme e grupit dhe është gjithmonë në dispozicion të skuadrës. Ka treguar që nuk kemi asnjë lloj problemi në marrëdhëniet e portierëve". Do të jetë vetëm spektator, ndërkohë, blerja e re Andrea Barzalji: mbërritja e tij të bën të mendosh mbi një spostim të mundshëm, nëse do të ekzistojë nevoja, të Xhiorxhio Kielinit në krahun e majtë të mbrojtjes: "Jo, nuk do të kryejmë eksperimente, ka përsëritur Del Neri, duke komentuar këtë opsion të mundshëm, është një alternativë për dy mbrojtësit e qendrës që janë titullarë të rëndësishëm". Do të ecet përpara kështu pra me besim, duke filluar nga Kupa e Italisë: "Një ndeshje e rëndësishme. Pres një Romë shumë të motivuar përballë skuadrës tonë. Ndeshja Juventus-Roma gjithmonë ka qenë një ndeshje shumë e përjetuar dhe e luftuar, shumë motivuese nga ana e emocioneve dhe nivelit teknik për të dy qytetet dhe dy tifozeritë, pa llogaritur këtu dy skuadrat që gjithmonë kanë zhvilluar ndeshje të bukura. Kështu që, ne në këtë ndeshje do të luajmë me një formacion në lartësinë e kompeticionit, që do të jetë Juventusi më i mirë që mund të shikohet në këtë moment në fushën e lojës. Kështu që, nuk do të luajë asnjë lojtar që nuk është në formën e tij maksimale në këtë moment. Sepse dëshirojmë të kalojmë turnin dhe të ecim përpara në Kupën e Italisë, pa eksperimente, sepse ky është një objektiv i rëndësishëm për ne".