28 janar 2011
Prandeli grumbullon Kasanon dhe Bufonin
Romë (Itali)- "Kundër Gjermanisë në ndeshjen miqësore të 9 shkurtit do të jenë në fushën e lojës si, Bufon ashtu edhe Antonio Kasano". Ai që e ka lajmëruar një fakt të tillë është trajneri i kombëtares italiane, Cesare Prandeli, gjatë një ceremonie, ku i është dorëzuar federimi ndërkombëtar Federgolfit. "Bufon është rikuperuar dhe ndihet shumë mirë. E kam konsideruar gjithmonë numrin 1 dhe kështu, që nëse do të më japë gatishmërinë e tij, dhe besoj se do ta bëj, në Gjermani do të jetë sigurisht për këtë ndeshje të rëndësishme pavarësisht se një miqësore". Pas rikthimit në fushat e lojës me fanelën e Milanit, është rikthyer menjëherë në skuadrën kombëtare edhe Antonio Kasano përtej faktit se, nuk është ende në 100%. "Gjithmonë kam thënë që do ta gjykoja për paraqitjet e tija në fushën e lojës, ka shtuar. Më duket se është duke kryer një punë shumë të mirë dhe kështu që, edhe ai do të jetë në ndeshjen me Gjermaninë". Është shtyrë, ndërkohë për më vonë rikthimi i Mario Balotelit. "Mario, për fat të keq, është duke kryer akoma një fazë rehabilitimi dhe nuk është gati për t'u grumbulluar në skuadër". Trajneri i kombëtares italiane gjithmonë në komunikimet e tija në publik është shprehur dakord mbi grumbullimin e mundshëm të lojtarëve të huaj, por me pashaportë italiane në skuadrën kombëtare, duke i konsideruar italianë si gjithë të tjerët dhe duke mos e dramatizuar situatën, ku disa javë më parë ka dhënë shembuj të së shkuarës. "Ne ndjekim të gjithë ata lojtarë që kanë disponibilitetin e tyre për të veshur fanelën e skuadrës kombëtare. Më pas zgjedhim ata që na bëjnë punë dhe janë të nevojshëm në një situatë të caktuar". Në këtë mënyrë i është përgjigjur Cesare Prandeli, trajneri skuadrës kombëtare axurre, pyetjeve të gazetarëve italianë, mbi një grumbullim të mundshëm të brazilianit të Interit, Tiago Mota, për ndeshjen miqësore kundër Gjermanisë. "Pas pak ditësh do të rifillojë gjithçka: ndeshja me Gjermaninë, pavarësisht se është një miqësore, është për ne shumë e rëndësishme". Në vitin 2011, duhet të sigurohet, ndërkohë kualifikimi për në Europianin e vitit 2012, që do të luhen në Ukrainë dhe Poloni: "Do të jenë muaj të rëndësishëm, ka pranuar ai, djemve do t'u kërkoj përsëri t'i transmetojnë njerëzve atë ndjenjë përkatësie dhe pjesëmarrjeje që skuadra kombëtare duhet të ketë. Duhet të përballojmë vështirësitë tona, por jam duke menduar për një grup që mund të ketë një lloj vazhdimësie në të ardhmen". Batutën e fundit trajneri i kombëtares italiane ja ka dedikuar çështjes Mutu, një ish-lojtar i tij tek Fiorentina. që tani ka probleme me shoqërinë dhe ka përfunduar jashtë skuadre: "Ka kërkuar falje publikisht dhe privatisht, ka nënvizuar Prandeli. Vendimet për t'u marrë i takojnë shoqërisë, por në nivelin human, xhesti i tij ka qenë një xhest i vlerësueshëm dhe që duhet të respektohet". Në fund të komentit të tij, Prandeli ka folur edhe për problemet e futbollit italian, që janë të shumta, por një nga këto është padiskutim kurajoja e pakët e klubeve italiane për të lançuar në skuadrën e parë lojtarët e rinj, siç ka konfirmuar vetë trajneri i kombëtares Cesare Prandeli. "Për fat të keq, vetëm 8% e të rinjve nga skuadrat zinxhir përfundojnë në skuadrën e parë, ka deklaruar Prandeli. Disa vite më parë, kjo përqindje ishte në 25%. Shumë shoqëri sot, preferojnë të kërkojnë jashtë". "Vendi i 14 për Italinë në renditjen e Fifa? Sigurisht, që nuk është një pozicion realist, ka përfunduar Prandeli komentin e tij, por padiskutim është më mirë të evitohen polemikat dhe të punohet më shumë në mënyrë, që të ngjitemi në klasifikim menjëherë".