Trajneri verdhekuq pohon se nuk ka frikë nga bardhezinjtë para sfidës së Kupës së Italisë
“Jemi midis më të mirëve, rreth nesh nuk shikoj asnjë skuadër superiore”. Klaudio Ranieri ka karikuar Romën e tij në prag të sfidës, të vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Italisë, kundër Juves. “Juventusi, - ka thënë ai, - është një skuadër e madhe, është një pretendente për të fituar kampionatin si ne.
Ashtu si ata, kemi fituar 9 Kupa të Italisë dhe duam të shkojmë përpara. Nuk jam i shqetësuar nga bardhezinjtë, por i respektoj”. Më pas, në lidhje me klubin: “Shpresoj të vijë një president që të vazhdojë dhe të përmirësojë punën e familjes Sensi”.
Tekniku, që ka drejtuar Juven për dy vjet para ndarjes në 2009-ën, nuk do të dëgjojë të flitet për revansh apo shpagim: “Unë kërkoj të japim maksimumin me skuadrën që drejtoj, - ka shpjeguar. - Ndonjëherë kritikohem për lojën, por me sa duket ata që kritikojnë nuk i shikojnë ndeshjet e tjera.
Ne jemi midis më të mirëve, nuk shikoj asnjë ekip superior rreth nesh”. Ndërkohë, klubi mund të blihet nga një afarist amerikan: “Uroj që të vijë një president në gjendje të vazhdojë punën e bërë nga familja Sensi dhe, nëse është e mundur, ta përmirësojë”, ka thënë Ranieri.
Tekniku është i lidhur me klubin verdhekuq me një kontratë që skadon në qershor, ndërsa e ardhmja e tij është akoma për t’u përcaktuar. “Për ne, ka rëndësi ky vit. Mund të mendojmë vetëm për të punuar me seriozitet për të marrë rezultate.
Unë do të gjykohem, më pas do të vazhdoj të punoj. Kjo është pak, por e sigurt, - ka vazhduar Ranieri. - Ne duhet të përqendrohemi te ndeshja e radhës që është shumë e rëndësishme, të cilën duhet të përpiqemi ta fitojmë. Të gjithë lojtarët duhet të mendojnë e të punojnë në të njëjtin drejtim”.
Kundër Juves, Roma rrezikon të mos ketë në dispozicion Marko Borrielon, për shkak të disa problemeve fizike: “Kam folur me të, ndihet më mirë. Të shohim se si do të jetë para ndeshjes”. Ndërsa, duhet pritur akoma për rikthimin e Pizarros: “Në fillimin e shkurtit do të bashkohet me grupin”.
Në fund merkato: Ranieri ka komentuar mundësinë e një këmbimi portierësh me Xhenoan. Te kuqeblutë mund të shkojë Doni, te Roma Eduardo, i cili ka zhgënjyer në paraqitjet e tij të fundit: “Kush luan në Serinë A është i aftë”, ka thënë shkurt trajneri i klubit verdhekuq.