Grushti i marrë nga Roma në Kupën e Italisë është me të vërtetë një “knoc out” teknik për Juventusin, që pa hyrë ende muaji shkurt sheh se projekti i treshes Anjeli Marota Delneri është vënë seriozisht në rrezik. Jashtë kupave, larg garës për titull, mbetet vetëm synimi për një vend në Champions pa përforcime në merkato.
Edhe publiku është duke u larguar dhe të enjten kishte vetëm fishkëllima dhe kore ironike.Në shënjestrën e tifozëve për momentin janë disa lojtarë, si Amauri, të cilit nuk i falet më asgjë: pas një tjetër topi të humbur nga tifozët dëgjohen koret që lëvdonin David Trezegenë.
Një shuplakë për brazilinain, por edhe për drejtuesit e klubit, që me merkaton e verës u treguan të paaftë, kurse merkatoja e dimrit po irriton botën juventine përballë një Milani që nuk heziton të marrë lojtarë me kosto zero për të mbushur boshllëqet dhe përballë një Interi që reagon me dy blerje italiane të forta, si Pacini dhe Ranokia.
Gjithë kësaj, Marota i është përgjigjur me Tonin dhe Barzaljin, dy lojtarë ekspertë dhe të zotë, por jo rastësisht të lidhur me grupin kampion të botës në vitin 2006 në Gjermani; lojtarët e “përdorur” në fakt nuk janë treguar aq me leverdi, siç ka treguar dëmtimi i përsëritur i sulmuesve.
Po Xhixhi Delneri? Deri tani ka gëzuar një imunitet që nuk e kanë pasur paraardhësit e tij, veçanërisht Çiro Ferrara. Por nga zërat në tribuna, nga zhurma e forumeve në internet, kuptohet që koha është duke mbaruar edhe për të.
Skuadra luan keq, nuk duket në gjendje të mirë fizike dhe është ende e dërrmuar nga dëmtimet (të enjten në mbrëmje u dëmtua edhe Pepe, do të mungojë kundër Udinezes); projekti taktik që bazohej te skema e preferuar 4 4 2 po fut ujë dhe disa zgjedhje të diktuara nga emergjenca e dyfishtë dëmtime-rezultate nuk kanë rezultuar fatlume.
Ndien keqardhje dhe të lë mbresa fakti që trajneri i Juves shprehet publikisht i dëshpëruar në lidhje me merkaton aktuale (”Pacini ishte ëndrra ime, por mbeti e tillë”, e ka thënë pas ndeshjes Juventus Roma) duke qenë se në verë elementët e preferuar prej tij nuk u morën parasysh dhe nuk u afruan në skuadër.
Mota, në këtë sens, është maja e ajsbergut të një serie lojtarësh që kanë zhgënjyer ose janë nën pritshmëritë e të gjithëve. Në këtë kuadër, ndeshja e së dielës kundër Udinezes bëhet një udhëkryq thelbësor jo vetëm për kampionatin, por edhe për vazhdimësinë që është komplikuar rëndë. Në ndeshjen e parë, rezultati ka qenë 4 0 për Del Pieron dhe kompani dhe ishte një ndeshje e madhe, por duket sikur ka kaluar një shekull.