Në prag të përballjes në Kupën e Italisë me Romën, trajneri i Juventusit, Luigi Delneri, u shpreh i kënaqur për përfundimin e afërt të merkatos, ndonëse klubi i tij nuk ka bërë asnjë përforcim të rëndësishëm.
”Më në fund po përfundon. Çdo ditë lexoj nëpër gazeta spekulime të ndryshme mbi emrat që do të vijnë. Në fund, nuk ka mbërritur asnjë nga ata që janë lakuar”, deklaroi Delneri. Sulmuesi Toni ka qenë përforcimi i vetëm i Juventusit deri tani.
”Një blerje cilësore do të ishte e mirëpritur, por të gjithë e dimë që askush nuk është i gatshëm të shesë lojtarët më të mirë në mesin e sezonit. Nëse në fund nuk do të mbërrijë asnjë, do të vazhdojmë përpara me këtë skuadër, që gjithsesi ka një cilësi shumë të madhe brenda saj”, vazhdoi trajneri i bardhezinjve.
Delneri lëshoi një koment edhe për ndeshjen e nesërme me Romën. “Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme dhe pres një Romë shumë të motivuar. Përballjet Juventus-Roma kanë qenë gjithmonë të ndezuara dhe është e qartë që të dyja skuadrat do të bëjnë maksimumin për të arritur fitoren”.