30 janar 2011
Del Neri: "Juventusi nuk është në rënie të lirë"
Torino - Grushti që kanë pësuar të enjten në mbrëmje nuk është kaluar ende, por Xhixhi Del Neri ka shkuar në kundërsulm dhe mbron Juventusin e tij. Nuk jemi në rënie të lirë, jemi në linjë me planet. Dhe meritojmë më shumë respekt. Në kampionat do të luajmë shanset tona deri në fund. Unë mendoj që, Juventusit ka kryer deri më tani më së miri detyrën", është shprehur trajneri bardhezi për objektivin e vetëm që i ka mbetur në këtë sezon pas eliminimit nga Europa Ligë dhe Kupa e Italisë. "Kemi përpara 17 ndeshje, një kampionat të tërë pothuajse: synojmë një vend në Champions Ligë, që është edhe objektivi i fiksuar në fillim të sezonit". Del Neri është shumë i nervozuar dhe kjo kuptohet fare lehtë në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Udinezen: "Nga jashtë duket një gotë boshe. Nga brenda ne e konsiderojmë gjysëm plot gotën. Nuk duhet të harrojmë gjithë atë punë të mirë që është kryer deri në 6 janar. Ka skuadra që ecin me një mijë në orë dhe ne jemi larg nga ata në këtë moment vetëm 3 pikë. Jemi eliminuar nga Kupa e Italisë, por nuk është që Juventusi luan çdo vit në finale në këtë kompeticion… Tani të gjithë shkruajnë që Juventusi është në rënie të lirë. E përsëris: jemi vetëm tre pikë nga Roma dhe 2 nga Lacio. Dhe për fat të keq të shumë njerëzve që dëshirojnë të na shikojnë më prapa, jemi përpara skuadrave si Palermo dhe Udineze". Problemi në këtë moment, më shumë sesa merkatoja, është të vendoset bashkë në fushën e lojës një formacion kompetitiv: "Merkatoja? Unë stërvis lojtarët që shoqëria më vendos në dispozicion. Jemi duke kërkuar të kemi në dispozicion sa më shumë lojtarë të jetë e mundur përpara ndeshjes me Udinezen. Kemi probleme me Pepen, Amaurin, Motan dhe Iakintën. Të shikojmë se çfarë do të ndodhë". Dy nga lojtarët e dëmtuar janë sulmues, pa llogaritur dhe dy të tjerë që janë jashtë si Toni dhe Kualjarela… "Nëse do të kishim pasur në dispozicion të gjithë sulmuesit do të kishim pasur mundësi të zgjidhnim aspektin taktik, duke shfrytëzuar karakteristikat e tyre të ndryshme. Kjo ndërkohë nuk ka qenë asnjëherë e mundur për shkak të numrit të madh të dëmtimeve. Dhe gjithsesi kemi arritur të marrim rezultate të mira", ka përsëritur Del Neri. Por, ndërkohë duhet të mendohet edhe për ndeshjen me Udinezen, që është mbase dhe skuadra më në formë e momentit. "Edhe kur kemi luajtur kundër tyre në Udine, vinin pas një ndeshjeje të luajtur shumë mirë në Milano kundër Interit, ka kujtuar Del Neri. Ata janë shumë të entuziazmuar, por nuk duhet të harrojmë që kemi kryer një ndeshje të mirë në fushën e tyre. Duhet të bëjmë një ndeshje po aq të mirë edhe këtu".