29 janar 2011
Juve në krizë, tani mbetet vetëm Champions
Dështimi në Kupën e Italisë, ku u eliminua nga Roma, ka qenë një shuplakë e fortë për ëndrrat e Juventusit dhe për projektin e presidentit Andrea Anjeli me drejtorin e përgjithshëm, Marota, e trajnerin Delneri. Jashtë kupave të Europës, por mbi të gjitha larg luftës për titull, tashmë bardhezinjve u mbetet vetëm objektivi për të siguruar një vend në edicionin e ardhshëm të Champions League. Kjo duhet të realizohet pa blerje të reja në merkato, por mbi të gjitha pa mbështetjen e tifozëve. Të zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës në sfidën e së enjtes me Romën, “besnikët” e “Zonjës së Vjetër” kanë fërshëllyer skuadrën dhe hodhën parulla ironike. Paraqitjet zhgënjyese kanë konfirmuar se pas vitit 2007 skuadra nuk është përforcuar si duhet, përkundrazi janë bërë hapa prapa. Madje, ka nga ata që besojnë se skuadra e përpara 4 vjetëve që luajti në Serinë B, vitin e errët të historisë së klubit, ishte më e mirë se kontingjenti aktual.