Juarez, 26 janar - Shtatë futbollistë janë vrarë në qytetin meksikan Juarez, kur njerëz të armatosur me tri vetura kanë shtënë në ta, derisa po zhvillohej një ndeshje futbolli, kanë njoftuar mediumet e huaja të martën. Kryesit e veprës për një kohë shumë të shkurtër, brenda katër sekondave, kanë shkrepur mbi 180 plumba prej të cilëve tre futbollistë kanë vdekur në vend, kurse katër tjerë kanë ndërruar jetë në spital. Raportet e agjencive të huaja bëjnë të ditur se janë lënduar edhe dy futbollistë tjerë, të cilët tash për tash janë jashtë rrezikut për jetën. Futbollistët ishin të moshës 19 deri në 26-vjeçare dhe ishin pjesë e rangjeve të ulëta të futbollit në këtë vend.
Ngjarja ka ndodhur në stadiumin që u ndërtua para katër muajsh në një aksion kundër drogës. Qëllimi i ndërtimit të stadiumit ishte të largonte fëmijët nga rrugët e këqija dhe t'i drejtonte ata nga stadiumi. Por, edhe aty gjetën vdekjen.
Dyshohet se në këtë "masakër" ka gisht mafia meksikane, që tash e disa vite ka fjalën kryesore nëpër rrugët e qytetit Juarez. Ky qytet vlerësohet si më i rrezikshmi në Meksikë, pasi vetëm gjatë vitit të shkuar kanë humbur jetën jo më pak se 3 100 persona.
Sipas policisë meksikane ende nuk dihen motivet e këtij sulmi. Ata kanë bërë të ditur se kanë nisur hetimet për të zbardhur rastin sa më shpejt të jetë e mundur.
"Ende nuk i dimë motivet se pse është hapur zjarr në këta të rinj. Kriminelët i kanë gjuajtur 180 fishekë brenda katër sekondave. Gjithçka ka ndodhur shpejt dhe njerëzit janë ende të hutuar me atë se çka ndodhi para syve të tyre", ka thënë zëdhënësi i policisë së Juarezit, Adrian Sanchez.
Ngjarja ka tronditur mbarë shtetin meksikan dhe ndodhi në prag të vizitës së paralajmëruar nga sekretarja e SHBA-ve, Hilary Clinton.
"Këta kriminelë kanë pasuri dhe armë, kështu që popullata nuk mund të bëjë asgjë për t'iu kundërvënë", ka thënë zëdhënësi i shtetit amerikan Philip Crowley, që edhe ka konfirmuar udhëtimin e Clintonit në Meksikë.