Trajneri i bardhezinjve i ka kërkuar skuadrës të japë maksimumin kundër verdhekuqve
Sot do të luhet Juventus-Roma, sfida e Kupës së Italisë që rikthen një rivalitet të madh dhe që luhet për një vend në gjysmëfinale. Megjithatë çështja kryesore në prag të këtij takimi ka qenë sërish merkato dhe nevojat e Juventusit:
“Më mirë që jemi afër fundit, - ka thënë Xhixhi Del Neri, - çdo ditë në gazeta flitet për lojtarët që duhet të vijnë te Juvja. Dhe në fund kanë ardhur shumë pak në krahasim me atë që kanë shkruar”. Një frazë kjo që mund të interpretohet si një pakënaqësi e teknikut në lidhje me operacionet e zhvilluara në këtë merkato, por Del Neri ka vënë “pikat mbi i”.
“Them se nëse nuk vjen asnjë sulmues klubi ka bërë të pamundurën për të marrë lojtarë që mund të përmirësonin ekipin, - ka shpjeguar trajneri, - dhe nëse nuk ia dalim mbanë do të vazhdojmë përpara me këtë ekip që ka shumë cilësi, duke rekuperuar edhe të dëmtuarit. Unë them se ne jemi kompetitivë nëse nuk kemi probleme fizike.
Kështu, unë vazhdoj përpara me lojtarët e mi, te të cilët kam një besim të madh, sepse kanë karakter dhe kanë një dëshirë të madhe për të bërë mirë me Juventusin”. Ndeshja me Romën, pikërisht në këtë kuptim, do t’i rikthejë Del Nerit dy elementë të rëndësishëm: “Për sa i takon dëmtimeve jemi më mirë në krahasim me ndeshjen e Barit.
Kemi në dispozicion Iakuintën, kemi rekuperuar Felipe Melon, dy lojtarë të rëndësishëm dhe me eksperiencë”. Në portë do të rikthehet Storari, që duket se ka pranuar rolin e zëvendësuesit të Bufonit, të paktën deri në qershor:
“Kam dy portierë (tjetri është Maninger), që i lënë vendin njëri-tjetrit në këtë kompeticion dhe është e drejtë që nëse është mirë të luajë Storari, sepse ka treguar që nuk kemi asnjë problem për sa i takon portierëve”. Domethënë, përpara me besim, duke filluar që nga Kupa e Italisë:
“Një ndeshje e rëndësishme. Pres të shoh një Romë të motivuar. Përplasja Juventus-Roma ka qenë gjithmonë shumë intensive, shumë stimuluese për të dy qytetet dhe për të dy tifozeritë, pa përmendur dy skuadrat. Do të jetë qëllimi ynë të luajmë me një formacion në lartësinë e duhur.
Do të luajnë lojtarët që janë në formën më të mirë në këtë moment. Sepse duam ta kalojmë turin dhe të vazhdojmë përpara në Kupën e Italisë, ashtu si në çdo kompeticion tjetër, pa bërë eksperimente”, ka thënë Del Neri.