Serbi ka luajtur 55 ndeshje në 324 ditët e fundit, por trajneri kërkon ta rikarikojë për sprintin final
Në daljet e fundit të Juventusit, ka qenë e dukshme një rënie fizike e Millosh Krasiçit. Anësori serb, protagonist i madh i fazës së parë, është zëvendësuar me të drejtë nga Del Neri pas një ore lojë kundër Sampdorias në Gjenovë. Statistikat nuk mungojnë, para së gjithash nëse shikohet numri i ndeshjeve të luajtura nga marsi i shkuar.
Krasiç ka zbritur në fushë në 55 raste në 324 ditët e fundit: 21 herë me CSKA-në e Moskës (Superkupa, 17 ndeshje në kampionat dhe 3 në Ligën e Kampioneve), 10 herë me kombëtaren serbe (3 gara në Botëror, 3 në takimet kualifikuese të Europianit dhe 4 miqësore) dhe 24 ndeshje me Juventusin (17 në kampionat, 6 në Ligën e Europës dhe 1 në Kupën e Italisë).
Një shifër shumë e lartë ndeshjesh për një futbollist që ka armën e tij më të mirë freskinë atletike për të bërë diferencën në korsinë e djathtë. Stafi mjekësor bardhezi, po studion një program të personalizuar për yllin serb dhe nuk përjashtohet një përkushtim i tij më i ngjeshur në këtë finale të sezonit.
Vendosja e Krasiçit është vendimtare në skemën 4-4-2 të Del Nerit dhe nëse duhet të arrihet në Ligën e Kampioneve, nuk mund të mos llogaritet ndihma e tij e çmuar. Nuk është një rastësi që në katër ndeshjet e fundit të kampionatit (të luajtura nga serbi me një mesatare vote që shkon në 5), Juventusi ka grumbulluar vetëm 4 pikë me dy humbje të rënda kundër Parmës në “Olimpiko” dhe Napolit në “San Paolo”.
Për sfidën e nesërme në mbrëmje kundër Romës po në Torino, ka mundësi të rishfaqet në fushë Vinçenco Iakuinta, i cili rikthehet pas dëmtimit 20-ditor, duke shpërthyer në stërvitjen e Vinovos me pesë gola në një ndeshje stërvitore. Por nëse sulmuesi italian është gati ndaj Romës, Armand Traore do të qëndrojë jashtë tri javë.
Anësori i Juventusit, në dëmtimin e disatë të radhës gjatë këtij sezoni të pafat, ka pësuar një këputje muskulare të shkallës së parë në kofshën e djathtë. Lojtari u dëmtua gjatë ndeshjes së Juves ndaj Sampdorias. Edhe Storari e la stërvitjen dje për një ndrydhje të lehtë në kaviljen e djathtë. Sot portieri do t’u nënshtrohet analizave mjekësore.