Sulmuesi francez mund të lërë Juventusin për të kaluar në kampionatin brazilian, ku Korinthiasi e pret krahëhapur.
Drejtori teknik i klubit të kategorisë së parë braziliane, Mario Gobi, është shprehur i entuziazmuar nga ideja që bomberi i kombëtares franceze mund të veshë fanellën e skuadrës. “Do të ishte nder i madh për ne të kishim një lojtar si ai. Por për këtë do të flasim më pas. Nëse do të ishte e mundur, do të donim të mbështeteshim te ai në të ardhmen. Objektivi ynë është të fitojmë Kupën Libertadores, më pas të shohim”, tha ai në një intervistë për “Espn Brazil”.
Drejtuesi i klubit brazilian shtoi se sipas informacioneve që disponon, lojtari do të ishte i kënaqur të luante përkrah Ronaldos dhe Roberto Karlosit. Megjithatë, Gobi është i vetëdijshëm për vështirësitë ekonomike: “Besoj se edhe me ndihmën e partnerëve dhe të sponsorve, do të jetë e vështirë. Nëse Trezege do të pranonte për katër milionë euro dhe gjysma e tyre të sigurohej nga sponsorët, ne duhet të paguajmë dy milionë. Gjë që për momentin është e pamundur”.