Inter-Juve, “X” i fundit 6 vite më parë
Interi dhe Juventusi do të ndeshen në kampionat për herën e 154-t në histori. Bilanci i 153 takimeve të mëparshme është në favor të skuadrës torineze, që ka fituar 72 ndeshje kundër 43 të zikaltërve. Në barazim kanë përfunduar 38 takime. Në këtë sfidë deri tani janë regjistruar 407 gola (233 të bardhezinjve, 184 të zikaltërve).
Interi do të presë Juven në fushën e vet për të 77-ën herë në histori. Bilanci i 76 përballjeve të mëparshme në “San Siro” është në favor të vendasve, që kanë marrë 33 fitore kundër 19 humbjeve. Barazimi, që është regjistruar në 24 takime, për herë të fundit është verifikuar më 28 nëntor të 2004-ës: Interi dhe Juventusi e kanë mbyllur 2-2 sfidën e vlefshme për javën e 13-të të Serisë A, 2004-05. Miqtë, në avantazh 2-0 falë golave të Zalajetës në mintën e 53-të dhe Ibrahimoviçit me penallti në të 66-ën, janë arritur në fundin e ndeshjes nga zikaltrit që kanë shënuar me Vierin në minutën e 79-të dhe Adrianon në të 86-ën.
Fitorja e fundit e bardhezinjve në “San Siro” ka ardhur më 22 mars të 2008-ës: Juventusi ka fituar 2-1 në takimin e vlefshëm për javën e 30-të të kampionatit të Serisë A 2007/08. Golave të realizuar nga Kamoranezi në të 49-ën dhe Trezegesë në të 63-ën i është përgjigjur Manike shtatë minuta para fundit të takimit. Suksesi i fundit i marrë në shtëpi nga Interi ka ardhur në përballjen e fundit që është zhvilluar midis këtyre dy skuadrave në “Meaca”. Më 22 nëntor të 2008-ës zikaltrit kanë mposhtur 1-0 bardhezinjtë në takimin e vlefshëm për javën e 13-të të kampionatit të kaluar të Serisë A falë një goli të Muntarit në minutën e 72-të.