Komuniteti i dytë më i madh ‘bianconer’ në Itali, J1897.com, që ka rreth 40 mijë anëtarë, u ka dërguar nga një letër Federatës Italiane të Futbollit dhe zyrtarëve të Juventusit, nga të cilët kërkojnë zbardhjen e çështjes së Calciopolit.
Tifozët e Juventusit kanë reaguar ashpër në këtë letër, duke kërkuar rikthimin e dy Scudettove të marra nga Juventusi, falje publike për vendimet e gabuara, kompensimin e humbjeve dhe dërgimin e skuadrave tjera të akuzuara në Serie B.
Këta tifozë thonë në këtë letër se nga gjykimi i ri ekzistojnë dy mundësi, ose të gjithë të jenë të fajshëm ose të gjithë të jenë të pafajshëm. Nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, atëherë ata do të bojkotojnë abonimet televizive, qasjen në internet, biletat sezonale madje gjithë kampionatin e Series A, derisa të mos zbardhet plotësisht e vërteta e Calciopolit.