Megjithë emrat e shumtë, gjetja e pasardhesit të Zakeronit mund të jetë një mision më i vështirë nga sa mendohej për drejtuesit e “Zonjës”.
Fillimisht, më i mundshmi ishte Çezare Prandeli. Por italiani vendosi të mos lëvizë nga Firence. Emri tjetër ishte ai i Roberto Mançinit. Por edhe ish-trajnrei i Interit (aktualisht te Mançester Siti) duket se i ka dhënë një goditje shpresave të drejtuesve të Juventusit për ta pasur në stol, kur deklaroi: “Siti është i veçantë”.
Ndoshta njeriu më i dëshirueshëm për të marrë drejtimin e ekipit nga Torino në fund të këtij sezoni është tekniku i Bordosë, Loran Blank. Por francezi duket se ka plane më të rëndësishme në mendje. Shumë e shohin si pasardhësin e Rajmond Domenekut në krye të kombëtares së Francës. Në mos, Interi do të ishte më se i kënaqur për ta pasur në krye të stolit, në rast të ndonjë të papriture nga Hoze Mourinjo.
Mbase më i mundshmi është Rafa Benitez, cikli i të cilit te Liverpuli mund të konsiderohet i mbyllur. Por problemi i spanjollit është çmimi i lartë, i papërballueshëm për arkat e dobëta të “Zonjës” (aq më tepër që mundësia për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve është shumë e vogël). Prandaj, le të kthehemi në Itali: Masimiliano Alegri (trajneri i Kaljarit) dhe tekniku i Xhenovas, Gasperini, janë emrat më të mundshëm për të pasuar Alberto Zakeronin.