Biseda e ish-presidentit të Interit me disenjatorin
Vazhdon publikimi i telefonatave të sikletshme të Interit në skandalin “Calciopoli”. Pas seancës gjyqësore të së martës, është transkriptuar një tjetër bisedë e regjistruar ndërmjet Xhaçinto Faketit, ish-presidentit të ndjerë të klubit zikaltër dhe Paolo Bargamos, që në atë periudhë ishte zyrtari që përcaktonte gjyqtarët e ndeshjeve në Federatën Italiane të Futbollit. Telefonata është bërë më 23 dhjetor 2004 dhe aty Faketi i thotë disenjatorit që të shkonte në Milano, te zyra e Masimo Moratit, pasi njëshi interist duhej t’i jepte një dhuratë të vogël. Bergamo i përgjigjet presidentit se kishte planifikuar prej kohësh të bisedonte me patronin zikaltër, për të menduar së bashku rreth disa çështjeve. Në fakt, ish-përcaktuesi i gjyqtarëve shpjegon gjatë bisedës se kërkonte të jepte kontribut në përmirësimin e situatës ku gjendej Interi. Në telefonatën e fundvitit, Faketi, ish-kapiteni i Kombëtares italiane dhe Interit, ndër të tjera thoshte: “Nëse i telefonon Moratit… edhe dje… isha tek ai… dhe biseduam”. Bergamo: “Unë nuk e kam më numrin e tij, nëse ti mund të ma japësh… a të kujtohet… kemi folur për këtë”. Faketi: “Po patjetër, sepse dëshironte… nëse ndonjë ditë të bie rruga këtej…”. Bergamo: “Ku ndodhet tani? Në Forte”? Faketi: “Në zyrë, jo jo në Milano. Nëse të rastis rruga të vish këtej, ai kishte një dhuratë për të të dhënë”. Bergamo: “Kisha dëshirë të flisja, madje edhe ta takoja, t’ju takoja, më kupton, për të menduar diçka së bashku”.
Disa media, mbi të gjitha ato që mbajnë anën e Interit, e kanë shpjeguar dhuratën për të cilën flet Faketi me faktin se ajo do t’i jepej ish-disenjatorit me rastin e festave të fundvitit. Ndërkohë, disa të tjera filluan të krahasonin mesataren e pikëve të Interit, përpara dhe pas kësaj telefonate, gjatë sezonit 2004-’05 në Serinë A. Nga shtatori deri në dhjetor të 2004-s, Interi kishte grumbulluar 24 pikë në 16 ndeshje: mesatarja është 1,5 pikë për çdo takim të luajtur. Ndërkohë, nga janari 2005 deri në fund të kampionatit, zikaltërit morën 48 pikë në 22 javë: mesatarja është 2,18 pikë në ndeshje. Me siguri që avokatët mbrojtës të Luçiano Moxhit, Prioreski dhe Trofino, do ta paraqesin këtë telefonatë në seancën tjetër gjyqësore në Napoli për “Calciopoli”-n, më datë 20 prill. Sipas mediave italiane, ekzistojnë edhe 43 telefonata të tjera të ish-drejtuesit të Interit. Ndërkohë, si federata (FIGC), ashtu edhe Juventusi janë në pritje të zhvillimeve rreth kësaj ngjarjeje, për të vendosur më pas se çfarë hapash do të ndjekin. Presidenti i klubit bardhezi, Zhan-Klod Blank, nuk e përjashton si mundësi rihapjen e gjyqit sportiv të vitit 2006, që shkaktoi heqjen e dy titujve të Juves dhe rënien e skuadrës në Serinë B. Ndërkohë, diçka e tillë do të bëhet fakt, pasi grupi hetimor i federatës duket i prirur që ta rihapë hetimin: ata do t’i kërkojnë Gjykatës së Napolit materialet e reja që janë paraqitur rreth skandalit dhe do të thellojnë hetimet rreth përmbajtjes së telefonatave të regjistruara, në të cilat ndodhen biseda të drejtuesve të Interit, Milanit, Romës dhe të klubeve të tjera.