Marrëveshje në gjithçka, ose thuajse e arritur. Ka bashkim mendimesh, dëshira dhe objektiva të përbashkët. Lajmi i mirë vjen direkt nga Madridi, ku Rafa Benitezi para dy netësh drejtoi Liverpulin e tij në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Europës kundër Atletikos së Madridit.
Një rastësi, një rast shumë i mirë për trajnerin spanjoll për të takuar në stërvitjen e të kuqve pikërisht menaxherin e tij, avokatin Manuel Garsia Kuilon, i cili studion legale e ka në Madrid dhe ka qenë i ngarkuar të bisedojë me Juventusin. Pas ndeshjes me Atletikon për Ligën e Europës, Benitezi shpjegon: “E ardhmja? Do të mendoj vetëm javën që vjen, për mua do të flitet vetëm pas shitjes së klubit. Jam i interesuar se kush e blen klubin, - thotë tekniku spanjoll. - Duhet të presim javën e ardhshme dhe të flas me ata që do të blejnë klubin”.
FAZË DELIKATE - Afrimi i Benitezit në projektin e Juventusit vazhdon hap pas hapi, pra në “majë të gishtave” për të mos zgjuar mësymjen e padronit të shtëpisë, presidentit të ri të Liverpulit, Martin Broughton, që në të vërtetë ka vetëm një detyrë: ta dorëzojë kalimin e klubit nga pronarët e vjetër te blerësit e rinj. U fol për plane merkatoje, për propozime ekonomike dhe strategjike dhe për rastin në fjalë për të lënë të lirë Benitezin për t’u çliruar nga kontrata, që e lidh deri në 2014-ën me Liverpulin.
Një fazë delikate, që mund të rikërkojë kohë nëse klubi anglez nuk do të pranojë ta lejojë të largohet Rafën, i cili dëshiron të çlirohet nga kontrata me një vlerë prej 16 milionë stërlina. Juvja ka vendosur si afat datën 10 maj, që është dhe dita e mbledhjes së Këshillit Administrativ të klubit. Për t’u kujdesur nga surpriza të mundshme, në shtëpinë bardhezi po punohet nën rrogoz në dy plane të mirëcaktuara, ai që do dhe ka aprovuar pronari Xhon Elkan, duke e lidhur alternativën për spanjollin me atë të një trajneri italian.
SINERGJI - Në “projektin Benitez”, drejtuesit aktualë bardhezinj, do të shkonin të integronin stafin e Benitezit, i reduktuar në maksimum pas kërkesave të fillimit (nga 12 në 6 bashkëpunëtorë).
Roberto Betega duhet të ketë detyrë ndërmjetësimi mes skuadrës dhe stafit teknik, Alesio Seko do të kujdeset për merkaton. Në këtë pikë Juventusit nuk i mbetet gjë tjetër veç se të presë lëvizjen e ardhshme që do t’i besohet Benitezit, kërkesa e zgjidhjes së kontratës nga Liverpuli.
PLANI B - Në sirtarin e presidentit Zhan Klod Blank është gati edhe plani i emergjencës: një staf i gjithi italian, me Prandelin në stol e Xhuzepe Marotën si drejtor sportiv. Gatishmëria e presidentit të Sampit, Rikardo Garrone për të lënë të lirë administratorin e tij të deleguar nga kontrata, mund të lehtësojë ambicjet e drejtuesve të Juves, që do të vlerësonin bashkëpunimin mes Benitezit dhe një supervizori me përvojë si Marota.