Ish-drejtuesi i Juventusit do ta dorëzojë personalisht kërkesën në federatën italiane
Pas pak kohësh, heqja e titullit, të cilin Interi e fitoi në tavolinë në vitin 2006, nuk do të jetë thjesht një thashethem, por një problem që do të paraqitet në tryezën e Federatës Italiane. Kërkesën do ta dorëzojë personalisht Luçiano Moxhi, i cili së bashku me Pako D’Onofrion, avokatin që e përfaqëson në gjyqin “Calciopoli” për çështjet sportive, po përfundojnë dokumentacionin që do të paraqitet në FIGC. “Brenda një muaji do të depozitojmë kërkesën për heqjen e titullit që iu dha Interit nga Guido Rosi, njeriu që u ngarkua me detyrën e drejtuesit të jashtëzakonshëm të federatës, pas dorëheqjes së presidentit Franko Karraro”. Kur kjo të ndodhë, do të jetë detyra e organeve të FIGC që të shqyrtojnë kërkesën dhe të vendosin se çfarë do të bëjnë. Në ambientet e federatës, prej kohësh diskutohej për ndërmarrjen e një veprimi të tillë: më saktësisht prej 11 ditësh, gjatë publikimit të telefonatave të para. Bisedat e drejtuesve të Interit me ish-disenjatorët e gjyqtarëve ngritën hije dyshimi rreth “pastërtisë” së klubit në skandalin e futbollit italian. Zikaltërit ishin të vetmit që përfituan nga ajo ngjarje, duke marrë kampionatin e vitit 2006, që vetë ata e pagëzuan si “titullin e të ndershmëve”. D’Onofrio, një pedagog i së drejtës sportive në Universitetin e Bolonjës, shpjegon se ku do të bazohet kërkesa e “Big Luçianos”. “Përmbajtja e telefonatave të publikuara pjesërisht gjatë ditëve të mëparshme, sipas të gjitha gjasave do të shndërrohen në prova të rëndësishme në gjyq në momentin që Gjykata e Napolit do ta autorizojë diçka të tillë. Në komunikimet personale ndërmjet drejtuesve të klubeve të tjera të futbollit, mes të cilëve të Milanit dhe mbi të gjitha të Interit, dhe drejtuesve të sistemit të gjyqtarëve jepen provat se akuzat mbi të cilat u zhvillua gjyqi sportiv në vitin 2006 duhet të cilësohen të pabazuara”. Interi rrezikon seriozisht të humbasë titullin e fituar në tavolinë, ndërsa skuadra nuk rrezikon ndëshkime. Kjo sepse për çdo parregullsi të ndodhur përpara 30 qershorit 2005 nuk penalizohet skuadra, por përgjigjen vetëm drejtuesit: në rastin konkret, Masimo Morati, që në atë periudhë ishte aksioneri kryesor.