Në mediat italiane dita-ditës vazhdojnë të qarkullojnë spekulime rreth ardhjes së menaxherit të Liverpoolit, Rafael Benitez në Juventus për sezonin e ardhshëm. Mirëpo, përveç ndryshimit të stafit teknik të Bianconerëve flitet edhe për ndryshime rrënjësore në përbërjen e ekipit pas sezonit dëshpërues të këtij viti.
E përditshmja sportive italiane, Tuttosport, ka bërë të ditur të dielën se nëse Benitez pranon ofertën e Juventusit, ai mund të marrë me vete edhe dyshen e Liverpoolit, sulmuesin Dirk Kuyt dhe mesfushorin Javier Mascherano. Mirëpo, nuk janë vetëm këta dy.
Benitez thuhet se dëshiron të transferojë në Juventus edhe mesfushorin kosovar të West Hamit, Valon Behrami. 25-vjeçari ka kontratë me West Hamin deri në fund të sezonit 2012/2013, por tashmë disa muaj spekulohet se mund t’i bashkohet ndonjë klubi të madh evropian. Behrami ka përvojë në Serie A, ku ishte paraqitur me Lazion para kalimit në West Ham më 2008.