16 prill 2010

“Calciopoli”, Moxhi në kundërsulm: Nuk jam delja e zezë e futbollit

I akuzuari kryesor i çështjes “Calciopoli”: “Të gjithë flisnin me të gjithë. Është vetëm fillimi, më e bukura vjen më pas”
Ish-drejtori i Juventusit: “Faketi kërkonte gjyqtarin dhe gjithë rrjetin”

Luçiano Moxhi ndihet viktimë e “Calciopoli”-t dhe sipas ish-drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, përgjimet e reja të drejtuesve të tjerë do ta demonstrojnë. “Akuza principale që m’u bë, është se skuadra ime fitonte, pasi ishte më e forta”, ka shpjeguar Moxhi dje në mëngjes në rubrikën e Maurizio Belpietro gjatë emisionit “Mattino Cinque”. “Nëse do të kishte qenë më e dobëta dhe do kishte humbur disa ndeshje, besoj se nuk do të kishte ndodhur asgjë. Gjithçka që po mësohet tani, ekzistonte edhe më parë, por askush nuk donte ta zbulonte. Dukshëm, ajo që po bënin me Juventusin Moxhi e Xhiraudo, influencohej nga rezultatet, ndërsa të tjerët influenconin në ndeshje. Nëse do të duhet të krahasohen telefonatat, më problematike janë ato të të tjerëve, se sa ato të Moxhit”. Moxhi e ndjen veten më shumë kurban, se sa dele të zezë: “Unë nuk kam qenë kurrë delja e zezë. Jam një person, që mbajti një pozicion të caktuar, sepse përndryshe, të tjerët do të kishin bërë ç’të donin. Situata ime shërbeu për të krijuar një pozicion komod për të tjerët”. “Të tjerët” janë sipas tezës mbrojtëse të Moxhit, Interi, i personifikuar me Xhaçinto Faketin. Në seancën e së martës, avokatët e Moxhit nxorën në pah një telefonatë të ish-flamurit zikaltër me ish-disenjatorin Paolo Bargamo. “Siç thuhet nga ana ime, tani po sulmojnë në tym, sepse ne kemi cituar një telefonatë, në të cilën ish-presidenti i Interit kërkonte, për një ndeshje ndaj Juventusit, gjyqtarin, rrjetin etj.”, thotë Moxhi, që shton gjithashtu se “nuk është influencë nëse emri i Kolinës në atë rast është thënë nga Bergamo apo nga presidenti i atëhershëm i Interit. Ndërhyrje është ajo që ka bërë ish-presidenti i Interit, i cili ka marrë disenjatorin për ta konfirmuar më pas: ‘Ma ka thënë presidenti i Interit emrin e Kolinës’. Dhe pastaj në disa përgjime thuhet: Më vër numrin një’. Unë gjëra të tilla nuk i kam bërë kurrë, nuk kam folur për rrjete, nuk kam thënë kurrë më sill këtë gjyqtar. Prandaj federata duhet ta rishohë gjithçka”. Avokatët e Moxhit kanë përzgjedhur 75 përgjime, për të demonstruar “që të gjithë flisnin me të gjithë. Problemi është se atëherë nuk kishte ligje si këto të sotmet. Tani ka ndryshuar statuti dhe askush nuk mund të flasë me gjyqtarët”. Të mërkurën, djali i Faketit ka thënë se Interi duhet ta rikthejë titullin. “Nuk i takon Interit, për këtë nuk ka dyshime. Unë e kam thënë me një batutë: Nëse ia heqin titullin Interit, duhet t’ia japin portierit të shtëpisë sime, sepse do ta mbajë në kasafortë”. Moxhi sulmon edhe ish-klubin e tij: “Problemi i vërtetë është se Juventusi nuk ka mbrojtur asnjë dhe për këtë arsye ka humbur titullin. Sepse nëse do ta kishte mbrojtur, siç bënë klubet e tjera, është e mundur që Juventusi nuk do të kishte rënë në Serinë B. Ish-sekretari i UEFA-s ka thënë që, nëse kjo që po zbulohet tani do kishte dalë në momentin kur u bë procesi dhe titulli iu dha Interit, Juventusi nuk do të kishte rënë në Serinë B”.