Nga i akuzuari kryesor për “Calciopoli”-n, Luçiano Moxhi, shfaqet në rolin e akuzuesit. Për t’u mbrojtur, ish-drejtori i përgjithshëm i Juves po publikon telefonata ku të përfshirë janë klube e drejtues, ndaj të cilëve nuk kishte dyshime.
Mes tyre janë numri 1 i Interit, Morati, ish-presidenti zikaltër, Faketi, administratori i Milanit, Galiani, ish-përcaktuesit e gjyqtarëve në federatën italiane, Bergamo dhe Paireto, ish-presidenti i federatës, Franko Karraro, zëvendësi i tij, Inoçenco Macini dhe drejtori sportiv i Romës, Daniele Prade.
Biseda e Karraros dhe Bergamos më 26 nëntor 2004, në prag të Inter-Juventus (2-2), zbulon se ish-presidenti i FIGC i kërkon ish-disenjatorit të sigurohet se gjyqtari Rodomonti nuk do të gabonte në favor të bardhezinjve.
Karraro shfaqet i trembur se gabimet pro Juves do të ndikonin në zgjedhjet në federatë. Në një bisedë me Moratin, Bergamo pohon se do të dëshironte që përcaktimi i arbitrave të ishte “më pak i rastësishëm”.
Në një tjetër telefonatë, Bergamo flet me kolegun Paireto për një sharje të Totit ndaj gjyqtarit, që mungonte në relacion.
Kapiteni i Romës mund të pezullohej përpara sfidës Juventus-Roma. Ndër të tjera ekziston edhe një bisedë e sikletshme e Macinit me drejtuesin verdhekuq, Prade, përpara takimit me Atalantën.