Tavaroli, ish-zyrtari i “Telecom”: “Ai më kërkoji t’i kontrolloj bardhezinjtë”
Sipas Xhuliano Tavarolit, i cili e ka deklaruar në betim, Masimo Morati kishte organizuar një hetim mbi “Calciopoli”-n rreth dy vite përpara, në krahasim me atë të majorit Atilio Aurikio, duke urdhëruar kontrolle në limitet e ligjshmërisë mbi gjyqtarët, shefat e tyre dhe Juventusin. Presidenti i Interit e ka mohuar gjithmonë, ose pranuar pjesërisht, atë që ish-përgjegjësi i sigurisë së “Pirelli”-t në fillim dhe “Telecom”-it më pas, ka deklaruar në procesin që e shikon protagonist. Hetimet që Tavaroli ka rindërtuar gjatë marrjes së tij në pyetje nga Prokuroria e Milanos në 2006-n, procesverbalet e së cilit, së bashku me dokumente të tjera të asaj çështjeje iu kaluan “FIGC”-së në mars 2007, shkaktuan hapjen e një hetimi. Por ashtu siç nisi, hetimi edhe u mbyll, jo sepse kundërshtimet e rënda dhe të detajuara të Tavarolit ndaj Moratit u konsideruan false, por sepse provat nuk ishin të qarta. Faktet ishin të 2002-shit, hetimi kishte filluar në 2006-n: 4 vite me vonesë, përtej kohës maksimale. Por çështja nuk është mbyllur dhe disa dyshime mbi sjelljen e Masimo Moratit kanë mbetur. Sepse, nëse ajo që thotë Tavaroli është e vërtetë (procesi “Telecom” është në vazhdim), përtej përcaktimit me të cilin FIGC ka arkivuar çështjen, ka diçka tjetër. Me të kanë lidhje edhe përgjimet e fundit, të cilat mund të çojnë edhe në ndëshkimin e Interit. Ndërkohë që Juventus shfaqet i gatshëm për gjithçka. Edhe të kërkojë rishikimin e vendimit të 2006-s. Përgjimet e reja dhe zhvillimet e procesit të Napolit po vënë në lëvizje Juventusin. Prapa fjalisë “jemi vigjilentë, por do i mbajmë tonet e ulëta”, të Xhan Klod Blank, në fakt fshihet një punë shumë e kujdesshme e avokatëve të Xhon Elkan dhe në veçanti e Mikele Briamonte, i cili po ndjek me shumë vëmendje procesin e Napolit. Shumë prej telefonatave të reja që do të shndërrohen në prova, do të mblidhen nga gjyqtarja Teresa Kasoria. Kjo do të ndodhë brenda një muaji. Në fakt, nesër në Napoli, Kasoria do të duhet të japë përcaktimet e saj në lidhje me përgjimet e gjetura nga avokatët e Luçiano Moxhit, mes 171 mijë telefonatave të regjistruara nga Karabinieria në 2004-n dhe në 2005-n, por që u injoruan nga hetuesit. Ky operacion do të kërkojë disa javë, pastaj përgjimet e transkriptuara do të bëhen prova dhe mundet të përdoren edhe nga Juventusi. Në këtë pikë, avokati Briamonte do të vlerësojë me kujdes dhe, nëse ato që janë komentuar nga gazetat do të konfirmohen, do të përgatisë një ankesë për FIGC. Më saktë, një letër në të cilën i shpjegohet Federatës Italiane: “Në 2006-n i keni dhënë Interit titullin, në bazë të supozimeve për ndershmëri të madhe dhe pastërtisë sportive. Tani, nën dritën e asaj që po del nga procesi i Napolit, ato supozime bien poshtë, prandaj ju ftojmë ta rimerrni në konsideratë atë vendim. Në atë moment, topi do të kalojë në fushën e FIGC, që të rimendohet për atë vendim. Në fakt, thonë që brenda Gjykatës së Napolit po shtohen ata që e mendojnë Interin fajtor. Në harkun e katër viteve, vendimi për atë titull të dhënë nga komisari Guido Rosi meriton një reflektim tjetër.