E papritura e radhës, drejtuesit e klubeve komunikonin personalisht me gjyqtarët
Telefonatat e përgjuara në periudhën 2004-2005, ku janë regjistruar 171.000 biseda, kanë sjellë një tjetër të papritur në gjyqin për “Calciopoli”-n. Avokatët e Luçiano Moxhit, me ndihmën e asistentëve të tyre, vazhdojnë të zbulojnë fakte tronditëse rreth skandalit të futbollit italian në vitin 2006.
Surprizat nuk mungojnë: çudia e radhës pritet të jenë telefonatat e bëra nga numrat e zyrave të drejtuesve të lartë të klubeve të Serisë A, të cilët flasin me disa prej gjyqtarëve më të rëndësishëm përtej Adriatikut. Natyrisht që në bisedat që pritet të publikohen së afërmi, një prej temave të diskutuara kanë qenë ndeshjet e kampionatit. Nëse bisedat e zyrtarëve të klubeve me arbitrat do të jenë të vërteta, kjo është një shkelje e rëndë, pasi kontaktet direkte të drejtuesve dhe “xhaketave të zeza” nuk shihen me sy të mirë, pavarësisht përmbajtjes. Nga regjistrimet që avokatët e Moxhit po shqyrtojnë, po dalin në sipërfaqe ngjarje të padëgjuara më parë. Një pjesë e tyre mund të përfshihen në dokumentacionin e gjyqit që po zhvillohet në Napoli, në një moment të mëvonshëm. Deri më tani, pas kërkesës së avokatëve mbrojtës të “Big Luçianos”, gjykata ka marrë në shqyrtim afro njëqind telefonata, të cilat ishin lënë pas dore nga hetuesit, por ato u kthyen sërish në materiale të vlefshme, falë punës së konsulentëve Nikola Penta dhe Roberto Porta.
Në këtë mënyrë, “eksplorimi” i 171.000 telefonatave po vazhdon. Bisedat e mundshme ndërmjet drejtuesve të skuadrave dhe gjyqtarëve do të tronditin edhe më shumë gjyqin. Por, edhe telefonatat ndërmjet vetë gjyqtarëve dhe shefave të tyre, që diskutojnë për çështje teknike mund të shërbejnë në Gjykatën e Napolit, edhe sepse ato do të rindërtonin disa ngjarje të skandalit dhe do të përcaktonin rrjedhën e vërtetë të ngjarjeve. “Calciopoli 2” sapo ka filluar, por duket se ka ende shumë të panjohura që priten të zbulohen rreth skandalit të futbollit italian.
Natyrisht pritet që materialet e reja, të cilat do të paraqiten në Gjykatën e Napolit, do të shërbejnë si prova edhe në Gjykatën Sportive. Federata ka hapur zyrtarisht hetimet, duke e ndarë grupin e punës në dy pjesë, në mënyrë që dëshmitarët të merren sa më shpejt në pyetje.