Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, ka pritur në një takim në Milano drejtuesit e Juventusit, Alesio Seko dhe Roberto Betega.
Sipas raporteve të mediave italiane, dy klubet kanë ndërmend të bashkëpunojnë në merkato. Emrat e parë që përmenden janë David Trezege dhe mbrojtësi De Çelje, të cilët mund të vishen kuqezi sezonin e ardhshëm. Ky i fundit shihet si zgjidhja në krahun e majtë të mbrojtjes së Milanit (Zambrota dhe Jankulovski nuk japin më garanci). Mbrojtësi ka kontratë me “Zonjën” deri në vitin 2013 dhe mund të kalojë në “San Siro” në formë huazimi.
Por vëmendja më e madhe përqëndrohet te David Trezege, që është vlerësuar gjithmonë në Milano. Francezit i përfundon marrëveshja vitin tjetër dhe do të ishte zëvendësuesi ideal i Inzagit (i cili nuk e ka rinovuar ende kontratën). Marrëdhëniet e mira mes dy klubeve mund të bëjnë që shifra e kërkuar për lojtarin të mos jetë problem.