Java e 34-t e kampionatit italian rezervon një nga sfidat më spektakolare: Interi dhe Juventusi gjejnë njëri-tjetrin në një sfidë ku barazimi nuk bën punë.
Pavarësisht klasifikimit (zikaltrit kanë 67 pikë në vend të dytë, një më pak se Roma kryesuese; Juve në të gjashtin me 51 pikë) apo objektivave (Interi lufton për titullin kampion kurse bardhezinjtë për zonën Champions), Inter-Juventus është një përballje që garanton gjithmonë emocione dhe spektakël.
Aq më tepër që 90-minutëshi i “San Siros” mund të rezultojë vendimtar për fatet e sezonit të dy ekipeve. Pra, barazimi është i ndaluar. Hoze Mourinjo nuk do të ketë të gatshëm mbrojtësin Kivu (i skualifikuar) dhe mesfushorët Kuarezma e Mariga (zgjedhje teknike e trajnerit zikaltër). Kurse Alberto Zakeroni duhet të bëjë pa Trezegenë, Xhovinkon dhe Grigerën (të dëmtuar). Por rikthehen Sisoko dhe Diego në mesfushë (megjithëse braziliani mund ta nisë ndeshjen nga stoli).
Inter - Juventus, formacionet e mundshme:
INTER (4-2-3-1): Julio Cesar; Maicon, Lucio, Samuel, Zanetti; Motta, Cambiasso; Balotelli, Sneijder, Eto'o; Milito. (Orlandoni, Materazzi, Cordoba, Stankovic, Muntari, Pandev, Arnautovic). Trajner: Mourinho
JUVENTUS (4-3-1-2): Buffon; Zebina, Cannavaro, Chiellini, Grosso; Sissoko, Felipe Melo, Marchisio; Camoranesi; Amauri, Del Piero. (Manninger, Legrottaglie, De Ceglie, Poulsen, Candreva, Diego, Iaquinta). Trajner: Zaccheroni
Gjyqtar: A. Damato