“Calciopoli 2”
Ish-disenjatori i kishte konfirmuar bisedat përpara 4 viteve
Ish-disenjatori Paolo Bergamo vazhdon ta përsërisë: bisedat e tij me pjesën më të madhe të drejtuesve të Serisë A dhe B nuk fshihnin asnjë sistem. Gazeta “Tuttosport” ka siguruar procesverbalin e datës 8 qershor 2006, kur hetuesit morën në pyetje ish-zyrtarin e federatës italiane, por që nuk u cilësuan si prova në skandalin “Calciopoli”, ku të dënuarit më të mëdhenj ishin klubi i Juventusit dhe Luçiano Moxhi. Aty Bergamo konfirmonte se nuk bisedonte vetëm me Moxhin rreth gjyqtarëve, por edhe me Faketin, Meanin, Kapelon, Sakin e shumë të tjerë. Nëse fjalët e tij do të ishin marrë seriozisht në konsideratë, “Calciopoli 2” do të ishte hapur shumë kohë më parë. Ja disa prej deklaratave të tij: “Nuk e kam fshehur kurrë se flisja me Moxhin dhe me shumë drejtues të tjerë. Të gjithë silleshin në mënyrë korrekte. Por, njohja e gjyqtarëve ishte sekreti që të gjithë e dinin. ‘Calciopoli’ shkoi ashtu si shkoi pasi nuk donin të më besonin. Kërkonin vetëm një rezultat të shpejtë, në mënyrë që në lojë të mos futej edhe UEFA”.