Trajneri i Juventusit ka karikuar skuadrën para Derbit të Italisë: Do të luajmë për veten tonë
Gjithçka gati për derbin e Italisë midis Interit dhe Juventusit. Për zikaltrit do të jetë një sfidë vendimtare për titullin në kampionat, ndërsa për bardhezinjtë do të jetë një rast i mirë për t’u ringritur. “Në këtë kampionat Interi ka treguar se është skuadra më e fortë, - ka thënë Alberto Zakeroni, - por ne do të jemi të përqendruar edhe pse kundërshtari na stimulon, por edhe për arsye se kemi nevojë për pikë. - Do të mendojmë vetëm për fitoren dhe jo për çështje të tjera jashtë fushës, - ka vazhduar Zak duke iu referuar gjyqit të “Calciopoli”-t.
- Nuk do të mendojmë për t’i hequr titullin Interit, por vetëm për të marrë tri pikët për një vend të katërt që është shumë i rëndësishëm për ne. Nuk ka favorit për titullin, teksa Roma ka bërë një kampionat të jashtëzakonshëm”. Zakeroni do të duhet të bëjë llogaritë me mungesat e sigurta të Kaseres, Grigerës, Xhiovinkos dhe Trezegesë. Në dyshim dhe Zebina, ndërsa është i sigurtë rikthimi i Diegos dhe Sisokos.
Ndërkohë, Juventus mendon për të ardhmen. Shtypi italian ka bërë të ditur se po të vijë Benitez mund të marrë me vete në Torino, Maskeranon, Dzekon dhe Torresin. Drejt largimit Felipe Melo. Alegri dhe Prandeli në pritje. Ka menduar Manuel Garsia Kuilon, menaxheri i trajnerit spanjoll për të eliminuar një alternativë. “Benitez ka ndërmend ta çojë deri në fund kontratën e tij me Liverpulin që skadon në 2014-ën, por klubi ka probleme serioze ekonomike dhe kjo mund të ndikojë në të ardhmen e skuadrës dhe për rrjedhojë edhe në atë të Benitezit.
Një kompani kineze është e interesuar, - ka thënë menaxheri i teknikut të Liverpulit. - Kanë kontaktuar me Rafën dhe i kanë thënë se nëse do të blejnë klubin, duan atë si trajner. Juventus ose Reali? Unë fola vetëm me Blankun, për momentin, Reali nuk e ka kontaktuar”. Populli madrilen ka zgjedhur Rafa Benitezin për të zëvendësuar Pelegrinin. Por Reali nuk duket se ka ndërmend të ndërhyjë midis trajnerit spanjoll dhe Juventusit.