17 prill 2010

Flamujt zikaltër kundër titullit të 2006-ës

Përveç djalit të Faketit, Xhianfeliçe, edhe Macola me Altobelin nuk e duan trofeun e “Calciopolit”

Pak ditë më parë djali i Xhiaçinto Faketit, Xhianfeliçe, deklaroi se nuk e ndjente të tijin titullin e 2006-ës i dhënë në tryezë për Interin dhe që klubi i Moratit, duhet ta kthejë prapa. Tani pozicioni i tij nuk ndryshon dhe këmbëngul: “Bëra një provokim serioz, - vazhdon ai. Por në mes të këtij mediokriteti të madh, do të ishte një lëvizje fituese. Interi është një klub i madh dhe e ka bërë gjithnjë ndryshimin në aspektin e sjelljes. Duke e bërë këtë gjest do të fitonte me mijëra pikë.

Atë që thashë pak ditë më parë, do t’ia kisha thënë edhe babait tim, që mund edhe të mos ishte dakord, - vazhdon Faketi i ri. - Është e sigurt që Interi e mendon ndryshe nga unë në krahasim me strategjinë e tyre. Konfirmoj që me klubin zikaltër nuk kam asnjë mosmarrëveshje. Unë mbaj qëndrim ndaj Interit, thashë vetëm një gjë që e ndjeja dhe që e ndiej thellësisht”. Faketi pastaj konfirmon që nuk ka pasur asnjë kontakt me Interin: “Me Moratin flasim dhe debatojmë për shumë gjëra, nuk është ky problemi. Nuk jam ndier mirë teksa dëgjoja mbi procesin e fundit në Napoli për babain tim.

Ne, si familje, e kuptojmë dhe e respektojmë punën e avokatëve të Moxhit, por është e rëndë që telefonata është ndryshe nga zbardhja e bisedave që u përdor në sallë. Ka falsifikim të fakteve”. Edhe një flamur i madh i së shkuarës së Interit si Sandro Macola nuk do të ndihej keq nëse titulli i 2006-ës do të dorëzohej pas ngjarjeve të fundit: “Atëherë duke mos dyshuar, thashë që ai titull nuk më interesonte, - shpjegon Macola.

- Nëse Interi do ta kthente, do të më bëhej qejfi shumë. Edhe pse, le të themi të vërtetën, zikaltrit edhe për disa vjet do ta fitojnë titullin… Ne interistët jemi krenarë për historinë tonë dhe nuk lejojmë që të pështjellohet as nga dyshimi më i vogël”. I të njëjtit mendim është edhe Alesandro Altobeli: “Tifozët e vërtetë nuk janë dëgjuar asnjëherë të festojnë për atë titull.

Ne duam që mos ta kemi atë titull, - shton ish-interisti, - edhe pse në fushë nuk u fitua nga ne. Them që djali i Faketit ka të drejtë: duhet ta dorëzojmë titullin. Kështu më në fund nuk do të flitet më. Është nevoja të emocionohesh për topin që hyn në rrjetë, jo për fjalët e përgjuara që dëgjohen në sallat e gjykatave”.