16 prill 2010

Bergamo, Galianit: Për Kakanë, ndryshova procesverbalin

Në telefonatën e 15 majit 2005, disenjatori pohon se e përjetoi barazimin e Milanit me Juven si një “traumë familjare”

Në kundërdosjen e përgatitur nga avokatët mbrojtës të Luçiano Moxhit, ndodhen edhe nëntë telefonata të drejtuesve të Milanit. Mes 74 regjistrimeve të depozituara në Gjykatën e Napolit, të cilat pritet të përfshihen në gjyqin rreth “Calciopoli”-t, ndodhen edhe biseda të administratorit të kuqezinjve, Adriano Galiani dhe zyrtarit të marrëdhënieve me arbitrit, Leonardo Meani. Ata kanë folur me tri përcaktuesit e gjyqtarëve, Paolo Bergamo, Pierluixhi Paireto dhe Xhenaro Macei, me gjyqtarin Masimo De Santis, vetëm pak çaste përpara një derbi dhe me vijërojtësit Kopeli dhe Puljisi. Veprime të parregullta në pikëpamjen sportive: komunikimi ndërmjet drejtuesve të klubeve dhe arbitrave ishte i ndaluar edhe në atë periudhë. Nëse këto telefonata do të ishin marrë parasysh në verën e vitit 2006, dënimi për Milanin (penalizim me 8 pikë), pezullimi i Galianit (prej 5 muajsh) dhe pezullimi i Meanit (dy vjet e gjysmë skualifikim) do të kishin qenë edhe më të rënda.

Në disa prej këtyre telefonatave, Bergamo pozicionohet dukshëm përkrah Milanit: disenjatori akuzohej nga Moxhi se punonte kundër Juventusit. Më 17 maj 2005 ai i tha Galianit se e ka përjetuar barazimin e “Djallit” me bardhezinjtë si “një traumë familjare”. Më pas zbulon se detyroi gjyqtarin Trefoloni, në përfundim të takimit Leçe-Milan, ku u regjistrua një faull shumë i rëndë ndaj Kakasë, që ta ndryshonte procesverbalin e ndeshjes: “Ishte e nevojshme që të përdorej toni i duhur, në mënyrë që mbrojtësi i Leçes të merrte një ndëshkim shembullor”. Më tej, zyrtari i federatës italiane ka pranuar (ashtu sikurse edhe kolegu i tij Paireto) ftesën për të udhëtuar në aeroplanin e Milanit, për finalen e Champions League në Stamboll. Në një tjetër telefonatë, Meani i telefonon Galianit dhe flet rreth arbitrave: “Bisedova me Puljisin, do ta kemi si asistent. Ndërsa juve diskutoni me Lanezen”.